Ballina Opinion E vërteta e hidhur e 8 dhjetorit

E vërteta e hidhur e 8 dhjetorit

27
0

Nga Namir Lapardhaja

Historia e tranzicionit shqiptar ka një të vërtetë të hidhur dhe që ka të bëjë me atë se shumë kohë përpara se të shfaqej fasada e demokracisë, ndër shqiptarët e raspakitur nga diktatura kishte lindur një urrejtje e thellë ndaj komunizmit dhe një antikomunizëm i heshtur, i gdhendur brenda qenieve të tyre.
Ky ishte një tempull i brendshëm, i ndërtuar me dritë, ngrohtësi dhe shpresë, prej të cilit më vonë do të lindnin Lëvizja e Dhjetorit dhe Partia Demokratike.

Por kjo shpresë e qenësishme nuk zgjati shumë. Ajo u rrënua dhe u shemb nga brenda, jo prej ndonjë tërmeti apo furtune që vjen natyrshëm, por pikërisht prej atyre që duhej ta ruanin.

Thonë se tempujt shkatërrohen gjithmonë nga brenda.
Kështu ndodhi me demokracinë, me Lëvizjen e Dhjetorit dhe me partinë që u bë simboli i saj, Partinë Demokratike.

Fillimisht u shuan ëndrrat, pastaj u zhdukën ëndërrimtarët.
Më pas nisën spastrimet: dëbim pas dëbimi, dështim pas dështimi, rrënim pas rrënimi.

Nuk ishin ata që besuan, ata që e shkatërruan këtë ngrehinë shprese, por ata që e morën peng.
U futën në tempull si kudestar dhe u shndërruan në grabitës. Nuk vodhën vetëm pasurinë materiale, por, mbi të gjitha, grabitën vuajtjet dhe sakrificat, manipuluan historinë dhe të vërtetën. Duke vjedhur gjithçka, në të vërtetë, vodhën edhe të ardhmen.

Më 8 dhjetor, studentët dhe shqiptarët u ngritën për një Shqipëri normale, si e gjithë Evropa.

Sot, më qartë se kurrë, duket se rrënimi i një ëndrre nuk vjen nga jashtë, por nga brenda, nga pengmarrja e saj e vazhdueshme, nga kontrolli i atyre që nuk e lanë kurrë të rritej dhe të ecte me këmbët e veta.
E mbajtën peng për të treguar se gjithçka ka qenë e kontrolluar dhe se nuk ka kala që komunistët nuk mund ta marrin.