Një lajm i bujshëm merkatoje vjen nga Argjentina dhe ka të bëjë me të ardhmen e Paulo Dybalës, kontrata e të cilit me Romën skadon në 30 qershorin e vitit të ardhshëm.
Sipas zërave nga vendi amerikanolatin, përfaqësuesit e sulmuesit të verdhekuqve kanë nisur tashmë punën për të zgjidhur kontratën me klubin roman që në muajin janar, me Dybalën që dëshiron të luajë në radhët e Boca Juniors së bashku me mikun dhe ish shokun e tij të skuadrës, Leandro Paredes me këtë të fundit që prej kohësh po e shtyn atë që ‘të kthehet në shtëpi’.
‘E di që Paulo dëshiron të vijë te Boca-kishte thënë përpara disa javësh për ‘Diario Ole’, Daniel Paredes, babai i ish mesfushorit të Romës, Leandro-zemra i rreh për Boca Juniors. Kam dëgjuar një bisedë mes tyre dhe Dybala tha se do të vinte këtu’.
Ndërkaq, mes Romës dhe Paulo Dybalës, në fakt ende nuk është folur për ndonjë rinovim të kontratës. ‘Nuk ka nisur asnjë tratativë-kanë qenë fjalët e Drejtorit Sportiv të Romës, Frederic Massara përsa i përket kësaj rinovimit të Dybalës dhe Pellegrinit. Në cështjen e rinovimit të Dybalës, problemi qëndron te dëmtimet e tij të njëpasnjëshme e sidomos te paga e tij që aktualisht është 8 milionë euro në sezon. Për të qëndruar te Roma, Dybala do të duhet të pranojë reduktim të pagës, por ndërkaq në skenë hyn Boca Juniors…







