Ballina Sport Alonso drejt shkarkimit, tre kandidatë për stolin e Realit

Alonso drejt shkarkimit, tre kandidatë për stolin e Realit

24
0

Te Real Madrid është krijuar një klimë tensioni pas humbjes 2-0 ndaj Celta Vigos në kampionat. Rezultati negativ ka shkaktuar reagime të forta brenda klubit madrilen, ndërsa drejtuesit kanë qëndruar në “Santiago Bernabéu” deri vonë për të diskutuar mbi situatën dhe të ardhmen e trajnerit Xabi Alonso.

Sipas mediave spanjolle, ndeshja e së mërkurës në Ligën e Kampioneve kundër Manchester City do të përcaktojë të ardhmen e tij në pankinën madrilene.

Humbja ndaj Celta Vigos nuk ka qenë vetëm çështje rezultati, por edhe paraqitjeje. Drejtuesit e klubit janë shprehur të pakënaqur me mënyrën se si skuadra reagoi gjatë ndeshjes, duke e konsideruar mungesën e organizimit dhe ritmit si shqetësime të qarta për vazhdimësinë e sezonit. Për këtë arsye, Alonso ka marrë një ultimatum të drejtpërdrejtë, ku kërkohet një reagim i menjëhershëm. Vetëm një rezultat pozitiv në Ligën e Kampioneve mund të shmangë një vendim të menjëhershëm për pankinën.

Në ambientin e klubit ndërkohë ka nisur të diskutohet edhe për pasuesin e mundshëm. Emri i Zinedin Zidan është rikthyer në qarkullim, por raportet nga Franca e bëjnë të pamundur një kthim të tij, pasi tekniku francez synon të marrë drejtimin e kombëtares franceze pas Botërorit 2026. Përveç tij, mediat spanjolle kanë përmendur disa kandidatë të tjerë që mund të marrin drejtimin e Real Madridit, mes tyre Jurgen Klopp, Santiago Solari dhe Alvaro Arbeloa.