Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar SPAK-un për zbatim të standardeve të dyfishta në trajtimin e çështjeve të Ilir Metës dhe Belinda Ballukut, duke e cilësuar këtë kontrast si vetëdiskreditim të drejtësisë me, sipas tij, regji politike të kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim publik, Blushi vë përballë situatën ligjore të presidentit të PL-së Ilir Meta me atë të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë dhe trajtimin e dy çështjeve nga drejtësia.
Sipas Blushit, Balluku, e cila përballet me pesë kategori akuzash dhe 13 episode penale, do të gjykohet në gjendje të lirë, duke ruajtur edhe imunitetin parlamentar.
Në të kundërt, ai thekson se Ilir Meta, të cilin e cilëson si lider opozitar pa funksion ekzekutiv dhe pa imunitet parlamentar, mbahet prej dy vitesh në paraburgim.
Reagimi i Tedi Blushit:
Belinda Balluku, me 5 kategori akuzash dhe 13 episode penale, do të gjykohet e lirë, duke ruajtur edhe imunitetin parlamentar.
Ilir Meta, pa imunitet deputeti dhe pa asnjë funksion ekzekutiv, mbahet prej dy vitesh në paraburgim-persekutim politik, gjykohet brenda kafazit të xhamit dhe pa avokat.
Balluku, me 5 kategori akuzash, imunitet parlamentar, kontrollon gjysmën e Qeverisë dhe intimidon dëshmitarët, do të gjykohet e lirë.
Meta, vetëm lider opozitar, pa pushtet ekzekutiv dhe pa imunitet, mbahet prej dy vitesh në paraburgim, pasi u rrëmbye me dhunë nga banditë të maskuar e të armatosur rëndë.
Balluku dhe Karçanaj, të dyja në gjendje të lirë, përballen me akuza të lidhura me afera të denoncuara me vlerë 2.5 miliardë euro.
Ndërsa për Metën: ZERO fakte penale! ZERO prova penale! ZERO akte dhe vendime të paligjshme! ZERO lekë dëm ndaj buxhetit të shtetit! ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit! ZERO pasuri të paligjshme!
Për Drejtësinë me Regji, vërtet ka një ligj, por ka edhe shumë standarde. Kontrasti Meta-Balluku, është vetëdiskreditimi më i rëndë i SPAK-ut, me regji politike, të Edi Ramës!







