Shqipëria vijon të mbetet ndër ekonomitë më të vogla të rajonit për nga vlera e shtuar bruto që prodhojnë bizneset, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, duke reflektuar një strukturë ekonomike të orientuar kryesisht drejt industrisë së lehtë, shërbimeve tradicionale dhe bujqësisë, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit që kanë baza më të zgjeruara industriale dhe teknologjike.
Në industri, ndërtim dhe shërbime tregtare, Shqipëria regjistron vetëm 8.8 miliardë euro, duke lënë pas Maqedoniné e Veriut me 8 mijë euro dhe Malin e Zi me 3.5 mijë euro. Kryesimin në Ballkan e mban Greqia me 102 mijë euro, e ndjekur nga Serbia me 40.6 mijë, ndërkohë që Bosnje dhe Hercegovina shënon 14.5 mijë euro.
Hendeku bëhet edhe më i dukshëm në sektorin prodhues, ku Shqipëria shënon 1.1 miliardë euro, një nivel ndjeshëm më i ulët sesa Serbia me 10.8 miliardë, Kroacia 8.9 miliardë, Maqedonia e Veriut 1.9 miliardë euro dhe Bosnjë dhe Hercegovina me 3.5 miliardë euro.
Të dhënat konfirmojnë se ekonomitë ballkanike me integrim më të fortë industrial dhe zinxhirë prodhimi më të avancuar arrijnë të gjenerojnë shumëfishin e GVA-së së sektorit prodhues, ndërsa Shqipëria mbetet kryesisht e orientuar drejt industrive me vlerë të ulët të shtuar.
Edhe sektori energjetik, ku pritej një pozicion më i favorshëm për Shqipërinë për shkak të dominimit të hidroenergjisë, shfaq përmasa modeste në krahasim me rajonin. Shqipëria regjistron 0.8 miliardë euro në kategorinë “Elektriciteti, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar”, ndërsa Serbia shënon 3 miliardë, Kroacia 1.4 miliardë, Greqia 4.4 miliardë euro. Shqipëria paraqitet gjjthsesi më mirë se Maqedonia e Veriut me 0.4 miliardë dhe Mali i Zi me 0.3 miliardë euro.
E njëjta tendencë shfaqet në ndërtim, ku Shqipëria arrin 1 miliardë euro, më pak se Serbia me 3.3 miliardë, dhe Bosnjë dhe Hercegovinë 1.1 miliardë euro, duke treguar se cikli i ndërtimit kontribuon më pak në ekonominë shqiptare sesa supozohet shpesh në diskursin publik.
Në shërbime, sidomos tregti me shumicë e pakicë dhe riparim automjetesh, Shqipëria regjistron 1.9 miliardë euro, dukshëm më pak se Kroacia me 8.2 miliardë euro, Serbia 7.5 miliardë, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut me 1.5 miliardë.
Në akomodim dhe shërbimin e ushqimeve, një nga sektorët ku Shqipëria pritet të performojë më mirë, vlera e shtuar arrin 0.5 miliardë euro, më pak se Kroacia me 3.2 miliardë euro, çka reflekton diferencën e madhe të strukturës së tregut dhe të zhvillimit të industrisë turistike mes dy vendeve. Edhe Serbia e tejkalon Shqipërinë në këtë kategori, me përkatësisht 0.8 miliardë euro.
Në aktivitetet e informacionit dhe komunikimit, motor i ekonomive moderne, Shqipëria arrin 0.6 miliardë euro, shumë më poshtë se Serbia me 4.9 miliardë euro, Bosnje dhe Hercegovina me 1.3 miliardë euro dhe Maqedonia e Veriut me 0.7 miliardë euro.
Në këtë kontekst, Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të ulët të vlerës së shtuar të bizneseve në ekonomi, jo vetëm për shkak të madhësisë, por edhe për shkak të strukturës së saj ekonomike që vazhdon të jetë e fokusuar në sektorë me produktivitet të ulët. /ekofin.al







