Ballina Bota I rrëmbeu armën autorit të sulmit në Bondi, heroi shpërblehet me 2.5...

I rrëmbeu armën autorit të sulmit në Bondi, heroi shpërblehet me 2.5 mln $! Al-Ahmed: A i meritoj? Gazetari: Çdo qindarkë!

0
21

Ahmed Al-Ahmed, heroi që çarmatosi autorin e sulmit terrorist në Bondi Beach, ka marrë një çek prej 2.5 milionë dollarësh ndërsa ndodhej në spital.

Pamje prekëse kanë kapur momentin kur babai me origjinë siriane, 42 vjeç dhe prind i dy fëmijëve, mësoi se 43 mijë njerëz nga e gjithë bota kishin dhuruar para për të nderuar guximin e tij.

“A e meritoj?” ishte reagimi i tij kur influenceri Zachary Dereniowski, bashkë-organizator i fushatës së mbledhjes së fondeve, ia dorëzoi çekun në një video të publikuar në rrjetet sociale.
“Çdo qindarkë,” iu përgjigj Dereniowski.

I pyetur se çfarë mesazhi kishte për dhjetëra mijëra donatorë, Al-Ahmed foli për paqe dhe unitet:

“Të qëndrojmë bashkë, të gjithë njerëzit, të harrojmë të keqen dhe të vazhdojmë përpara për të shpëtuar jetë. Kur i shpëtoj njerëzit, e bëj nga zemra,” tha ai nga shtrati i spitalit.

Videoja preku mijëra shikues, të cilët vlerësuan modestinë e tij. “Çfarë njeriu, çfarë heroi. Ky meriton një statujë,” shkroi një përdorues, ndërsa të tjerë theksuan se edhe familjet e viktimave që u përpoqën të ndalonin sulmin meritojnë mbështetje.

Sulmi i së dielës mbrëma mori jetën e 15 personave të pafajshëm, përfshirë një vajzë 10-vjeçare, dhe la dhjetëra të tjerë të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi gjatë aktivitetit “Hanukkah by the Sea”, ku qindra njerëz ishin mbledhur për të festuar ditën e parë të festës hebraike.

Nga spitali, Al-Ahmed kujtoi momentet para sulmit:
“Ishte një ditë e bukur, të gjithë po shijonin kohën me fëmijët. Të gjithë ishin të lumtur… e meritojnë ta shijojnë jetën. Ky vend është më i miri në botë. Mjaft është mjaft. Zoti e bekoftë Australinë.”

Fushata e mbledhjes së fondeve për të mori vëmendje ndërkombëtare, përfshirë një donacion maksimal prej 99,999 dollarësh nga miliarderi amerikan Bill Ackman. Influenceri Dereniowski, i njohur si @mdmotivator, ka rreth 26 milionë ndjekës në TikTok dhe njihet për videot e tij bamirëse.

Në total, donacionet për fushata të verifikuara në GoFundMe kanë arritur rreth 5 milionë dollarë, përfshirë afro 800,000 dollarë për familjen e viktimës më të re, 10-vjeçares Matilda. Mbi 650,000 dollarë janë mbledhur për familjet e Sofia dhe Boris Gurman, të vrarë teksa përpiqeshin të ndalonin sulmin, si dhe qindra mijëra të tjerë për viktima dhe familjarë të tjerë.

Kryeministri i NSW, Chris Minns, e quajti Al-Ahmedin “hero të jetës reale” pas vizitës në spital. Guvernatorja e Përgjithshme gjithashtu e vizitoi, duke i përcjellë falënderimet e publikut australian dhe të Mbretit Charles, i cili shprehu mirënjohje për aktin e tij heroik. Ajo shtoi se Al-Ahmedi pritet të marrë një çmim për trimëri.

Një nga autorët e dyshuar, Sajid Akram, u vra nga policia në vendngjarje. Djali i tij, Naveed Akram, 24 vjeç, u dërgua në spital në gjendje kritike dhe më pas u akuzua për dhjetëra vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje.