Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti po përgatitet që Kongresin e partisë që drejton ta kthejë në arenën e një reformimi rrënjësor të saj. Mediat në Shkup shkruajnë se kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ka përgatitur një listë emrash që pritet të largohen nga kryesia e kësaj force politike, në kuadrin e atij që po cilësohet si “Kongresi i fshesës”.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve, sipas burimeve brenda partisë, është hapja e rrugës për figura të reja, profesionistë dhe pa bagazh negativ politik, me qëllimin të rritet performance por edhe besueshmëria e BDI-së në opinionin publik.
Nga freskime me anëtarë e deri te strategjitë e reja dhe bashkimet formale – këto janë disa nga ndryshimet që tashmë po ndodhin në partitë më të mëdha në skenën politike pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 19 tetor dhe 2 nëntor, dhe që u përshkruan si një disfatë për opozitën.
Analistët megjithatë vërejnë se forcat politike në fjalë po i mbajnë udhëheqësit e vjetër, teksa ndryshimet në kuadro në radhët e opozitës janë përshkruar si të pritshme dhe të kuptueshme.
Në mesin e emrave që pritet të largohen nga strukturat drejtuese përmenden: Fatmir Dehari, Teuta Arifi, e Ramiz Merko. Largimi i këtyre figurave shihet si sinjali i parë serioz për një reformë të thellë brenda partisë, teksa Kongresi pritet të përcaktojë drejtimin e ri politik dhe organizativ të BDI-së për periudhën e ardhshme.







