Ballina Ekonomia Ministri i Bujqësisë: 150 mijë fermerë shqiptarë do të përfitojnë nga fondet...

Ministri i Bujqësisë: 150 mijë fermerë shqiptarë do të përfitojnë nga fondet evropiane

32
0

Transformimi i bujqësisë shqiptare në funksion të integrimit europian kërkon më shumë sesa përafrim ligjor: kërkon përgatitje reale në terren, investim, standarde dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të zinxhirit agro-ushqimor. Ky ishte thelbi i mesazhit të dhënë nga Andis Salla, i cili prezantoi sot vizionin dhe instrumentet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për periudhën 2025–2030.

Në fokus të fjalës së ministrit ishte çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13 – kapituj kyç për bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe peshkimin. Salla theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët e procesit negociues, pasi nuk kërkojnë vetëm harmonizim ligjor me acquis-në e BE-së, por një modernizim të thellë të sektorit, nga fermeri individual te operatorët e tregut dhe institucionet publike.

Sipas ministrit, anëtarësimi në Bashkimin Europian sjell përfitime të drejtpërdrejta për fermerët, bizneset dhe konsumatorët, por këto përfitime nuk janë automatike. Ato kushtëzohen nga aftësia për të investuar, dokumentuar aktivitetin dhe garantuar cilësi në çdo hallkë të zinxhirit prodhues. Pikërisht për këtë arsye, Politika e Përbashkët Bujqësore në kuadër të Kapitullit 11 e vendos fermerin në qendër, me synimin për një bujqësi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe me më shumë siguri ushqimore.

Ministri Salla bëri të ditur se objektivi është që rreth 150 mijë fermerë shqiptarë të përfitojnë nga fondet europiane. Për ta bërë këtë të mundur, në dy vitet e ardhshme do të përditësohet regjistri i fermës dhe i blegtorisë, ndërsa po ngrihet sistemi i identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur tashmë. Paralelisht, skemat kombëtare të mbështetjes do të përshtaten gradualisht me skemat që aplikohen në vendet e Bashkimit Europian.

Një tjetër sfidë madhore mbetet përmbushja e standardeve të cilësisë dhe tregtimit. Ministria po përgatit një paketë të re ligjore, e shoqëruar me komunikim intensiv dhe trajnime për prodhuesit dhe operatorët e tregut. Në këtë kuadër, organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish u cilësua si elementi që “bën diferencën”, pasi ndihmon në kapërcimin e ekonomisë së shkallës dhe rrit kapacitetin për të përthithur fondet europiane.

Në Kapitullin 12, theksi vihet te siguria ushqimore dhe zbatimi real i legjislacionit të BE-së në të gjithë zinxhirin, nga ferma te stabilimentet e përpunimit. Ndërsa Kapitulli 13 kërkon digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll, me forcim të mbledhjes së të dhënave dhe raportimit elektronik drejt strukturave europiane.

Në këtë kontekst, u lançua EuroAgro Albania 2025–2030, një platformë e re asistence e konceptuar si mekanizëm praktik për përgatitjen graduale të fermerëve dhe operatorëve shqiptarë drejt standardeve të BE-së. Platforma parashikon një linjë të dedikuar asistence “Numri Blu”, një platformë digjitale informative me asistent virtual në Portalin e Fermerit, si dhe pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime në terren, në bashkëpunim me bashkitë, shërbimet e ekstensionit dhe shoqatat profesionale.

Duke e mbyllur fjalën e tij, ministri theksoi se ky proces nuk mund të përballohet individualisht dhe kërkon angazhim të përbashkët. “Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, ‘Bujqësia 2030’ do të kthehet në një standard pune dhe në një treg të ri mundësish për bujqësinë shqiptare”, u shpreh ai, duke ftuar fermerët dhe bizneset të nisin përgatitjen që sot.