Kylian Mbappe po konfirmon gjithnjë e më shumë se është figura qendrore e ndryshimit të brezave në futbollin botëror.
Paraqitjet e tij të jashtëzakonshme në fundjavë me Real Madridin nuk kanë tërhequr vëmendje vetëm për shkak të barazimit të rekordit ikonik të Cristiano Ronaldos, 59 gola në një vit kalendarik me fanellën e klubit, por edhe për një tjetër moment historik, që ka kaluar disi në heshtje.
Duke shënuar nga pika e bardhë në minutat e fundit ndaj Sevilla-s, Mbappé nuk e mbylli thjesht vitin në mënyrë perfekte, por arriti edhe të barazonte Thierry Henry-në si një nga golashënuesit më të mëdhenj francezë të të gjitha kohërave.
Ky gol e çoi Mbappé-në në kuotën e 411 golave në karrierë, saktësisht aq sa kishte realizuar Henry para se të tërhiqej nga futbolli në vitin 2014.
Për shumë vite, shifra e Henry-së ishte një standard i paarritshëm për sulmuesit francezë, simbol i elegancës, vazhdimësisë dhe efikasitetit përpara portës. Fakti që Mbappé e ka arritur këtë numër në moshën vetëm 27-vjeçare e bën arritjen edhe më të jashtëzakonshme.
Që nga debutimi i tij si profesionist në vitin 2015, Mbappé ka shënuar me një ritëm impresionues: 256 gola me Paris Saint-Germain, 73 me Real Madridin, 27 me Monaco-n dhe 55 me Kombëtaren franceze.
Ai tashmë e ka kaluar Henry-në me fanellën e Francës dhe ndodhet shumë pranë Olivier Giroud, i cili kryeson me 57 gola.
Trashëgimia e Henry-së mbetet legjendare, por Mbappé po ndërton të tijën me hapa të sigurt. Me kohën në favor dhe me një mesatare golash të jashtëzakonshme, rekordet historike duken gjithnjë e më të arritshme për ‘yllin’ francez.







