Nga Gentian Gaba
Kate Crawford, në librin e saj Atlas of AI, thotë se inteligjenca artificiale nuk është as “inteligjente” në kuptimin njerëzor, as vërtet “artificiale”. Ajo është një industri shumë materiale, e mbështetur mbi miniera, energji, punë të padukshme njerëzore dhe, mbi të gjitha, mbi marrëdhënie pushteti. AI nuk është neutrale, ajo pasqyron paragjykimet, interesat dhe strukturat e atyre që e zotërojnë. Algoritmet halluçinojnë, gabojnë, riprodhojnë pabarazitë, por këto nuk janë defekte teknike, janë simptomë politike.
Në këtë kuptim, “Diella”, ministrja virtuale e Inteligjencës Artificiale e Edi Ramës, është shembulli perfekt i asaj që Crawford përshkruan si një fasadë teknologjike, e shkëputur nga realiteti i institucioneve që qëndrojnë pas saj. U prezantua me “hype” botëror me shkrime të porositura, si ministrja e parë e AI-së, si simbol i Shqipërisë digjitale, si prova që qeveria Rama është në “valën e katërt” të teknologjisë. Media ndërkombëtare shkroi për të, qeveria e shiti si revolucion komunikimi me qytetarët. Por ndërkohë, sistemi që e ushqen Diellën po kalbet nga brenda.
AKSHI, institucioni që administron e-Albania-n, infrastrukturën digjitale dhe një pjesë të projekteve që “ushqejnë” Diellën, është nën hetimin e SPAK-ut. Drejtoresha e saj është në arrest si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ndërsa dosjet flasin për tendera të kapur, kompani fiktive, lidhje me krimin e organizuar, madje edhe pengmarrje biznesmenësh për të detyruar heqjen e ankimimeve ndaj procedurave abuzive. Sipas hetimeve, dhjetëra milionë euro tendera janë manipuluar, vlerat e projekteve janë dyfishuar me cinizmin brutal “bën 2 milion, do e bëjmë 4”, ndërsa paratë janë zhdukur përmes kompanive guackë dhe faturave qesharake për çokollata e biskota. Kjo nuk është thjesht vjedhje, por është provë që shteti digjital është trajtuar si bankomat i krimit dhe klientelës politike.
Në termat e Kate Crawford, Diella nuk mund të jetë më e pastër se infrastruktura dhe pushteti që e ushqen. Nëse AKSHI është i kapur, tenderat janë të manipuluar, krimi i organizuar merr peng aktorë ekonomikë dhe politikat e qeverisë mbështesin këtë model, atëherë inteligjenca artificiale që kontrollohet nga kjo qeveri është vetëm një kukull digjitale që mbulon me avatar “inteligjent” një mekanizëm shumë njerëzor korrupsioni.
Ndaj, Diella është metafora më e saktë e qeverisjes Rama, ajo nuk është hap në të ardhmen, është pasqyrë e një të tashme të kalbur. Dhe për sa kohë qeveria është e zhytur në një kulutrë paligjshmërie, Diella nuk mund të jetë tjetër veçse as inteligjente, as artificiale, por e korruptuar si gjithë qeveria Rama.







