Ballina Politika Projektligji i deputetit të PD depozitohet në Kuvend: Zyrtarët e dënuar për...

Projektligji i deputetit të PD depozitohet në Kuvend: Zyrtarët e dënuar për korrupsion të kthejnë paratë

47
0

Një projektligj, i cili synon të parandalojë korrupsionin në administratën publike, është depozituar në Kuvend nga deputeti demokrat Bujar Leskaj. Ai synon që dëmet financiare, të shkaktuara institucioneve publike nga punonjësit e tyre, të paguhen nga vetë ata.

Në projektligj janë të parashikuara të gjitha llojet e përgjegjësive, nga ato personale deri te rastet kur të punësuarit në administratën publike firmosin në shkelje të ligjeve nën urdhrat e shefave të tyre.

Çdo punonjës i shtetit, që me dashje apo nga pakujdesia i shkakton një dëm ekonomik institucionit ku punon, duhet ta shpërblejë atë.

Ky është qëllimi i projektligjit të dorëzuar në Kuvend si propozim i deputetit të Partisë Demokratike, Bujar Leskaj.

Ajo që synohet me këtë projektligj është që punonjësit e nivelit të mesëm dhe të lartë në institucionet shtetërore, kur bëjnë veprime në shkelje të ligjit dhe për pasojë sjellin kosto financiare, të paguajnë dëmin nga të ardhurat e tyre personale.

Llojet e përgjegjësisë financiare janë: e plotë, e kufizuar dhe e përbashkët. Shkeljet e përmendura në projektligj përfshijnë veprimet në shkelje të ligjeve, akteve nënligjore, nxjerrjen e akteve administrative në kundërshtim me ligjin dhe mungesën e ndershmërisë së punonjësit publik.

Sipas llojit të përgjegjësisë dhe vërtetimit të shkeljes së ligjit – me dashje, nga pakujdesia apo nga mungesa e profesionalizmit – është përcaktuar edhe masa e shpërblimit.

Në rastin e përgjegjësisë së plotë, punonjësi publik është i detyruar të shlyejë dëmin financiar të plotë. Kur 50 për qind e të ardhurave të punonjësit të kapur në shkelje të ligjit nuk e mundëson shlyerjen e dëmit për një periudhë 10-vjeçare, kjo zbatohet deri në këtë nivel.

Kur përgjegjësia është e përbashkët, secili prej punonjësve publikë do të paguajë nga xhepi i tij vetëm për dëmin e shkaktuar nga ai vetë.

Po ashtu, projektligji parashikon që në rastet e shkeljes së ligjit pa dashje, por që sjell dëm ekonomik, zyrtari publik i detyrohet shtetit 7 paga mujore bruto dhe jo më shumë se 25 për qind e dëmit financiar të shkaktuar. Këta zyrtarë publik janë po aq përgjegjës edhe për veprimet në shkelje të ligjit të vartësve të tyre, ku detyrimi është një pagë mujore.

Nga përgjegjësia financiare përjashtohen ata që kanë qenë nën kërcënim për jetën. Në këtë rast, projektligji u vjen në ndihmë punonjësve që, nën kërcënimin e drejtuesve të tyre, janë të detyruar të firmosin në shkelje të ligjeve.

Ky propozim vjen edhe si shqetësim i vazhdueshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili vlerëson se dëmet ekonomike të shkaktuara nga shkeljet ligjore të punonjësve publikë janë të larta; për shembull, për vitin 2019 llogaritej në vlerën e 28 miliardë e 312 milionë lekëve.

Projektligji shërben gjithashtu si mbrojtje për punonjësit publikë në rastet kur drejtuesit i urdhërojnë të firmosin në shkelje të ligjit, si dhe si një mënyrë për të parandaluar korrupsionin në administratën publike.