Ballina Aktualitet Pas verës së Agasit, brenda 1 muaji zhduken edhe 31 dele të...

Pas verës së Agasit, brenda 1 muaji zhduken edhe 31 dele të sekuestruara! Hije dyshimi se ku përfunduan

96
0

Hije skandali mbi asetet e sekuestruara: 31 dele “avullojnë” brenda një muaji. Zhdukja e verës së biznesmenit Ergys Agasi gjatë kontrolleve të BKH nuk rezulton të jetë një rast i izoluar. Referuar publikimeve zyrtare të Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), rezulton se brenda vetëm një muaji kanë “humbur” pa asnjë shpjegim zyrtar 31 krerë dele gjallë.

Sipas dokumenteve të publikuara, në një ankand të zhvilluar në muajin mars, AAPSK deklaronte se kishte 87 dele për shitje, të racës Lakon Franceze, me vendndodhje në Darësh, Komuna Linzë. Ankandi u anulua në të njëjtin muaj për shkak të mungesës së pjesëmarrësve, një procedurë normale në këto raste.

Por çudia nis pak ditë më vonë.

Në prill 2025, tenderi rihapet, por këtë herë në dokumentacionin zyrtar figurojnë vetëm 56 dele, pra 31 më pak sesa një muaj më parë.

Pyetja që nuk merr përgjigje në asnjë dokument zyrtar dhe që ngre pikëpyetje serioze mbi administrimin e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara është e thjeshtë:

Ku përfunduan 31 dele?

Ngordhën?
U vodhën?
I hëngri ujku?
Apo “bariu”, në këtë rast vetë AAPSK?
Heshtja institucionale dhe mungesa e transparencës vetëm sa thellojnë dyshimet për keqadministrim dhe mungesë kontrolli mbi pasuritë që shteti ka detyrim t’i ruajë.