Ballina Kosovë Presidentja Osmani: Uroj që rezultatet e zgjedhjeve të çojnë në krijimin sa...

Presidentja Osmani: Uroj që rezultatet e zgjedhjeve të çojnë në krijimin sa më shpejt të parlamentit e qeverisë së re

21
0

Në ditën e zgjedhjeve, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani uroi që procesi të jetë i qetë, i rregullt dhe demokratik, duke bërë thirrje për një pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve. Në një deklaratë për mediat, ajo theksoi se zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm ku vendimmarrja u kthehet qytetarëve.

Presidentja shprehu shpresën se rezultati do të çojë në krijimin sa më të shpejtë të parlamentit dhe qeverisë së re, duke i cilësuar këto institucione si të domosdoshme për proceset e rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare të republikës. Ajo falënderoi të gjitha institucionet e angazhuara në mbarëvajtjen e procesit, duke përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet e sigurisë, drejtësisë, si dhe mediat për raportimin e tyre.

Në fund, presidentja përcolli një mesazh të qartë për klasën politike pas përfundimit të zgjedhjeve. Ajo u shpreh e bindur se partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara për të formuar institucione funksionale, stabile dhe me legjitimitet të plotë, të cilat do të marrin vendime në të mirë të qytetarëve.

Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, zgjedhje të rregullta, zgjedhje demokratike. Uroj po ashtu që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve të Republikës sonë me të drejtë vote. Si gjithnjë, zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik, ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj natyrisht që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të parlamentit dhe zgjedhje të qeverisë së Kosovës, të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë.

Dua t’i falenderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar dhe angazhohen edhe gjatë ditës së sotme, që ky proces zgjedhor të jetë sa më i rregullt. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek institucionet tona të sigurisë dhe ato të drejtësisë, e si gjithmonë një falenderim edhe për juve mediave që sot gjatë tërë ditës do të raportoni për këtë proces. I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shpresoj që gjithçka të shkojë në rregull dhe qetë.

Nga informatat që na janë dërguar neve nga KQZ-ja në pjesën e parë të mëngjesit, të gjitha qendrat e votimit janë duke funksionuar në rregull dhe jam e bindur, në qoftë se ka pasur ndonjë parregullsi të vogël aty-këtu, që KQZ-ja në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera do ta rregullojë sa më parë që të jetë e mundur.

Natyrisht, ky ka qenë mesazhi im gjatë tërë kohës dhe menjëherë pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, jam e bindur që të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara në mënyrë që të kemi institucione funksionale, stabile dhe me legjitimitet të plotë, të cilat do të marrin vendime në të mirë të qytetarëve tanë dhe të vendit.