Ballina Sport Infantino: Kemi 150 milionë kërkesa për bileta të ndeshjeve të Botërorit 2026

Infantino: Kemi 150 milionë kërkesa për bileta të ndeshjeve të Botërorit 2026

10
0

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbrojtur çmimet e biletave të Kupës së Botës, duke thënë se ato pasqyrojnë kërkesën “absolutisht të çmendur” të publikut për turneun e verës së ardhshme.

Struktura e çmimeve për turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë është kritikuar gjerësisht, me Football Supporters’ Association (FSA) që e ka cilësuar atë si “skandaloze”.

Biletat e fazës së grupeve janë deri në tre herë më të shtrenjta se ato të Kupës së Botës 2022 në Katar, ndërsa bileta më e lirë për finalen në New Jersey kushton 3,119 paund.

Megjithatë, Infantino thotë se niveli i kërkesës e tejkalon shumë ofertën.

“Kemi në shitje gjashtë deri në shtatë milionë bileta dhe brenda 15 ditësh kemi marrë 150 milionë kërkesa për bileta,” tha Infantino në World Sports Summit në Dubai të hënën.

“Pra, 10 milionë kërkesa për bileta çdo ditë. Kjo tregon sa e fuqishme është Kupa e Botës.
Në pothuajse 100 vjet histori të Kupës së Botës, FIFA ka shitur gjithsej 44 milionë bileta. Pra, në dy javë ne mund të kishim mbushur 300 vite Kupë Bote. Imagjinoni këtë. Kjo është absolutisht e çmendur”, 
shtoi ai.

Pas kritikave për strukturën e çmimeve pas hedhjes fillestare të biletave në treg, FIFA prezantoi një numër të kufizuar biletash “më të përballueshme” me çmim 45 paund për të gjitha 104 ndeshjet.

“Ne i kemi dëgjuar reagimet dhe kjo kategori e re është gjëja e duhur për t’u bërë,” tha për “BBC Sport” një zyrtar i FIFA-s pranë këtyre diskutimeve.

Infantino shtoi se paratë e mbledhura nga shitja e biletave do të riinvestohen në futbollin global, megjithëse nuk specifikoi një shifër konkrete.

“Ajo që është thelbësore është që të ardhurat e gjeneruara nga kjo të kthehen sërish në lojë në mbarë botën,” tha Infantino.

“Pa FIFA-n nuk do të kishte futboll në 150 vende të botës. Ka futboll sepse, dhe falë, këtyre të ardhurave që ne gjenerojmë me dhe nga Kupa e Botës, të cilat i riinvestojmë në mbarë botën”, përfundoi ai.