Një fosil 233 milionë vjeçar i zbuluar në Brazil, ka ndihmuar në rindërtimin e rrugës evolucionare të trurit drejt fluturimit.
Kjo është ajo që tregon një studim i botuar në revistën Current Biology dhe i udhëhequr nga italiani Mario Bronzati i Universitetit të Tübingen në Gjermani. Analiza e fosilit tregon se zogjtë dhe pterosaurët u përshtatën për të fluturuar përgjatë shtigjeve të ndryshme dhe të pavarura: ndërsa të parët trashëguan nga paraardhësit e tyre, një tru që tashmë kishte karakteristikat e duhura, pterosaurët e ndërtuan atë nga e para, duke e zhvilluar atë në të njëjtën kohë me krahët e tyre.
“Zbulimi i madh ishte zbulimi i një të afërmi të lashtë të pterosaurit të quajtur Ixalerpeton”, komenton Bronzati, “i gjetur në Brazil në shkëmbinj Triasik që datojnë 233 milionë vjet më parë.” Duke u nisur nga ky fosil, studiuesit përdorën teknika me rezolucion të lartë për të rindërtuar në 3D formën dhe madhësinë e trurit të mbi tre duzina specieve të ndryshme, duke përfshirë, përveç pterosaurëve dhe zogjve, dinosaurët, pararendësit e zogjve modernë dhe krokodilët.
Siç thekson Bronzati, rezultatet tregojnë se Ixalerpeton tashmë zotëronte karakteristika që lidhen me përmirësimin e shikimit , një përshtatje që mund t’i ketë ndihmuar pterosaurët të fluturonin, por përveç kësaj nuk ka asgjë tjetër që mund të na kishte lejuar të parashikonim këtë rrugë evolucionare.
“Edhe pse ka disa ngjashmëri midis pterosaurëve dhe zogjve, truri i tyre ishte në fakt mjaft i ndryshëm , veçanërisht në madhësi “, shton një tjetër studiues italian i përfshirë në studim, Matteo Fabbri i Universitetit Johns Hopkins në SHBA. ” Pterosaurët kishin tru shumë më të vogël se zogjtë”, thotë Fabbri, “gjë që tregon se një tru i madh nuk është i nevojshëm për fluturim “.







