Edhe pse u hodh për konsultim publik që në fund të korrikut 2025 dhe u prezantua si një nga nismat më të rëndësishme për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore, projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet nuk ka avancuar më tej dhe mbetet ende i papërfshirë në agjendën e miratimeve ligjore. Kjo ndodh pavarësisht deklaratave publike të Ministrit të Financave, i cili në një intervistë televizive gjatë vitit 2025 u shpreh se ligji do të miratohej brenda këtij viti.
Projektligji, i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Financave në fund të korrikut, synonte krijimin e një skeme të re për mbulimin e dëmeve nga tërmetet, duke adresuar boshllëqet e evidentuara pas ngjarjeve sizmike të viteve të fundit dhe kostot e larta që i janë faturuar buxhetit të shtetit për rindërtimin.
Megjithatë, varianti i propozuar ka hasur në kundërshtime të forta nga shoqëritë e sigurimit, të cilat e kanë konsideruar modelin e parashikuar si përjashtues për sektorin privat. Sipas përfaqësuesve të industrisë, projektligji në formën e tij aktuale i nxjerr kompanitë e sigurimit “jashtë loje”, duke i hequr rolin e tyre tradicional në administrimin e primeve dhe mbulimin e riskut.
Në qendër të debatit qëndron krijimi i një Fondi Shtetëror për Sigurimin nga Tërmetet, i cili, sipas draftit, do të administronte drejtpërdrejt primet e sigurimit dhe do të ishte përgjegjës për pagesën e dëmeve në rast të një ngjarjeje sizmike. Ky model është parë nga tregu i sigurimeve si një formë shtetëzimi i një aktiviteti që deri më sot ka funksionuar mbi baza private dhe konkurruese.
Shoqëritë e sigurimit kanë argumentuar se një fond i tillë shtetëror jo vetëm që deformon konkurrencën, por krijon edhe rreziqe të reja fiskale dhe operative, duke e ekspozuar shtetin ndaj detyrimeve afatgjata që, në rast të një tërmeti të madh, mund të tejkalojnë kapacitetet reale financiare të fondit. Sipas tyre, një skemë hibride, me përfshirjen aktive të sektorit privat dhe mekanizmave të risigurimit ndërkombëtar, do të ishte më e qëndrueshme dhe më në përputhje me praktikat evropiane.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave e ka mbrojtur nismën si një përpjekje për të garantuar mbulim universal dhe për të shmangur situatat kur familjet e pasiguruara mbeten tërësisht të pambrojtura pas fatkeqësive natyrore. Megjithatë, mungesa e konsensusit me aktorët e tregut dhe kritikat e shumta gjatë fazës së konsultimit publik duket se kanë bllokuar avancimin e mëtejshëm të ligjit.
Fakti që projektligji nuk është rikthyer në diskutim publik, nuk është depozituar në Kuvend dhe nuk ka një kalendar të qartë miratimi, ngre pikëpyetje mbi fatin e tij dhe mbi vullnetin real për të reformuar mënyrën se si menaxhohet risku sizmik në Shqipëri. Kjo situatë lë në pasiguri mijëra familje dhe biznese, në një vend me rrezik të lartë sizmik, ku sigurimi nga tërmetet mbetet ende i ulët dhe kryesisht vullnetar.
Ndërkohë, eksperienca e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019 ka treguar se kostoja për buxhetin e shtetit është e jashtëzakonshme dhe se mungesa e një skeme funksionale sigurimi e transferon të gjithë barrën financiare te taksapaguesit. Në këtë kontekst, zvarritja e ligjit për sigurimin nga tërmetet shihet nga ekspertët si një mundësi e humbur për të ndërtuar një mekanizëm afatgjatë, të qëndrueshëm dhe financiarisht të balancuar.
Për momentin, ligji për sigurimin nga tërmetet mbetet “në sirtar”, mes premtimeve të pambajtura, kundërshtive të tregut dhe mungesës së një zgjidhjeje kompromisi, ndërsa risku sizmik mbetet një realitet i përditshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. /ekofin.al







