Ballina Sport Messi, vallëzimi i fundit i magjistarit nga Rosario në Kampionatin Botëror

Messi, vallëzimi i fundit i magjistarit nga Rosario në Kampionatin Botëror

58
0

Mbi 20 vjet, Lionel Messi e bëri futbollin një lojë edhe më të bukur. “Magjistari nga Rosario” u rendit përkrah legjendave si Diego Maradona dhe Pele, ndërsa pasi më në fund i solli vendit të tij titullin e tretë botëror, tani mund të shijojë në paqe vallëzimin e tij të fundit në një Kupë Bote.

Kampionati Botëror 2026 pritet të jetë Botërori i fundit jo vetëm për Messin, por edhe për emra të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, Luka Modriç, Neymar dhe Kevin De Bruyne.

Në Argjentinë këndohet me emocione kënga e tifozëve: “Por Malvinas, por el Diego, por la última de Leo” – “Për Ishujt Falkland, për Diegon dhe për Botërorin e fundit të Leos”.

Edhe pse pranë moshës 39-vjeçare dhe pas një periudhe më të qetë në Miami, Messi ka qenë gjithmonë aty për Argjentinën. Ai ka vazhduar të luajë, të shënojë gola dhe t’i bëjë bashkëkombasit të besojnë se mjeshtëria e tij mund t’u sjellë “gauchos”-ve edhe yllin e katërt botëror.

E edhe nëse kjo nuk ndodh, tashmë ka më pak rëndësi. Ditët që vijnë janë një mundësi për të shijuar lëvizjet e fundit të një mjeshtri që lind ndoshta një herë në 50 vjet.

Nga goli i parë me fanellën bardhekaltër kundër Kroacisë në vitin 2006, Botërori i parë po atë vit, paraqitjet magjike në Kupën e Amerikws, medalja e artë olimpike në 2008 dhe momenti kur trashëgoi fanellën me numrin 10 nga Juan Roman Riquelme – rrugëtimi i Messit ka qenë i jashtëzakonshëm.

Ndërsa me FC Barcelona shkruante histori, Messi kaloi shumë zhgënjime me Argjentinën: eliminimin në Botërorin 2010, humbjen e dhimbshme në finalen e vitit 2014 në Brazil, dështimin në 2018 në Kampionatin Botëror dhe finalet e humbura të Kupës së Amerikës, ku shpesh fajësohej për dështimet.

Gjithçka ndryshoi kur në stolin e Argjentinës erdhi Lionel Scaloni. Së bashku me mikun e tij të madh, Ángel Di María, që rrëzoi Brazilin në “Maracana” në vitin 2021, Messi më në fund fitoi trofeun e shumëpritur të Kupës së Amerikës.

Kjo ishte shenja se Argjentina ishte zgjuar. Të gjithë luanin për Messin, ndërsa ai luante për gjithë vendin e tij. Kurora botërore më në fund erdhi në Kampionatin Botëror 2022 në Katar, pas finales epike kundër Francës.

Messi do të ishte një nga më të mëdhenjtë, për shumëkënd edhe më i madhi, edhe pa titullin botëror. Por vetë ai e dinte se pa triumfin me popullin e tij, karriera nuk do të ishte e plotë.

Tani, për herë të parë pa presion e tension, Messi vjen në Botëror vetëm për të shijuar momentin dhe bashkë me të, gjithë bota e futbollit.