Ballina Aktualitet Balluku vijon qokat ndaj besnikëve të saj: Emëron administrator të ‘Mobal’ këshilltarin...

Balluku vijon qokat ndaj besnikëve të saj: Emëron administrator të ‘Mobal’ këshilltarin e saj

217
0

Ndonëse ndodhet në akuzë për dyshime për korrupsion, Belinda Balluku i ka hapur dritën jeshile njërit prej këshilltarëve të saj duke i dhënë një detyrë tjetër me më shumë kompetenca se ajo e këshilltarit.

Ministria e Infrastrukturës regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit kompaninë shtetërore, e cila do të ofrojë shërbime të transportit publik. Përmes krijimit të kësaj kompanie, qeveria vendos të hyjë direkt në një sektor të rëndësishëm, i cili deri më sot ka qenë ekskluzivisht domain i kompanive private.

E pagëzuar me emrin Mobal, kompania do të ketë si objekt operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike. Paralelisht kompania shtetërore do të ofrojë edhe transportin e nxënësve dhe mësuesve

Por, Mobal nuk do të funksionojë vetëm si ofruese shërbimi, por do të ketë edhe shumë më tepër kompetenca, përfshirë edhe organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, do të zhvillojë dhe menaxhojë sisteme digjitale dhe aplikacione për mbikëqyrjen dhe informimin në kohë reale mbi shërbimet e transportit.

Sipas dokumentave të depozituara në QKB administratori i kompanisë është emëruar Henri Telharaj, i cili deri më tani ka mbajtur postin e këshilltarit të Belinda Ballukut. Kompania do të ketë një kapital fillestar prej 10 milionë lekësh, i disbursuar nga fondet e buxhetit të shtetit, ndërkohë që mbetet ende e paqartë se cilat linja do të operojë ajo.