Nga Dede Palokaj
Kompleksi i Manastirit të Studenicës afër Vrellës së komunës së Istogut përmban një histori në vete – një thesarë të begatshëm të trashëgimisë arkeologjike dhe historike. Pozicioni dominues i komleksit bazilikal i Studenicës zotëron territoret përrethë me peizazhe të bukura natyrore mjaft tërheqës gjë që e bënë lokalitetin edhe më të rëndëshem dhe më tërheqës me vlera të padiskutueshme arkeologjike dhe historike.
Gërmimet e para arkeologjike janë bërë në vitin 1930 ku është zbuluar një Bazilikë e krishterimit të hershëm ndërtuar me tri aniata dhe me një nartekës i vendosur midids atriumit dhe nefeve të tempullit. Gërmimet arkeologjike tregojnë se në këtë lokaltet kemi të bëjmë me disa periudha ndërtimi. Koha e ndërtimi të bazilikës paleokristiane i përket periudhës së sundimit të Justinianit të Madh, me prejardhje iliro – dardane. Krahasimet tregojnë se kjo bazilikë ka ngjajshmëri me bazilikat tjera në trevat e gjëra të Dardanisë antike siç është ajo në qytetin antik të Ulpianës afër Prishtinës etj. Në strukturën e bazilikës është zbuluar një kript e madhe në të cilën janë zbuluar shumë varre mbi të cilat konsiderohet të këtë qenë ndërtuar një objekt sakral.
Mbi themelet e Bazilikës paleokristiane në Studenicë, serbet në mesjetë ndërtuan kisha të reja duke e bërë Studenicën kryepeshkopatë autoqefale serbe e më vonë edhe Provincë kishtare apo Metropoli ku qëndronte paria e lartë e kishës ortodokse. Në realitet serbët e pranuan krishterimin vonë. Fillimisht kur kaluan në krishterin ata bënë meremetime të vogëla apo edhe të mëdha e më vonë ndërtuan edhe kisha të reja mbi themele të kishave të vjetra katolike siç është Manastiri në Graçanicë, afër Prishtinës, kisha e Shën Prenës (Levishka) në Prizren, Patrikana e Pejës e shumë objekte tjera kishtare. Këtë fat të keq e paten të gjitha kishat tjera katolike në Dardani.
Kompleksi i Manastirit të Studenicës i cili gjendet rrethë 8 km. në perëndim të komunës së Istogut përmban një histori në vete – një realitet të begatshëm të trashëgimisë arkeologjike. Pozicioni dominues i komleksit bazilikal i Studenicës në platon e një kodre të pjerrët e cila me lartësinë e saj zotëron territoret përrethë, me peizazh të bukur natyror mjaft tërheqës e bënë këtë lokalitet të rëndëshem me vlera të padiskutueshme arkeologjike dhe historike.
Është e njohur se pozita e përshtatshme gjeografike e gjithë Kosovës (Dardanisë) me kushtet e volitshme klimatike, me toka pjellore, shpate të bukura pyjore, krahina bjeshkore, pasuri xehërore, ujëra termal që burojnë nga nëntoka e pasur e saj që lidhnin rrugë me vendbanimet dhe qytetet, ndikuan që ky vend të bëhet i banueshëm dhe joshës për shumë grupe etnike, bashkësi shoqërore dhe popuj të kulturave të ndryshme që nga parahistoria e deri më sot.
Rruga kryesore e cila kalonte përmes Dardanisë antike ishte rruga Naissus – Lissus (Nish – Lezhë), njëra nga rrugët kryesore e provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) qe ishte themelua në vitin 44 para Krishtit. Si e tillë kjo rrugë është shënuar në të ashtuquajturen Tabula Peutingeriana – hartë me rrugë romake nga shek. IV dhe e kopjuar në shek. XIII. Dy nga rrugët kryesore të komunikimit dhe disa tjera sporadike u shfrytëzuan gjatë periudhave të gjata kohore. Kështu dy rrugët kryesore që lidhën tërë rajonin në kohën antike ishte rruga: Scupi – Vicianum – Vindenis – Ad Fines, ndërsa rruga tjetër përmes Lugut Drinit të Bardhë lidhi Rrafshin e Dukagjinit me rrugët e përmendura, me Shqipërin dhe bregdetin shqiptar. Shumë prej këtyre rrugëve ishin rrugë të dorës së dytë qe lidhinin lokalitetet dhe rajonin e brendshëm. Lidhjet tjera rrugore ishin lidhjet përmes luginës së Sitnicës, Ibrit që lidhnin rrafshin e Kosovës me Moraven Perëndimore dhe me viset tjera veriore[1].
S’do mend se monumentet janë dëshmi dhe përfaqësues të vërtetë të periudhave të caktuara që përcjellin brezave të ardhshëm historinë e shoqërisë njerëzore. Në bazë të kulturës materiale arkeologjike dhe historike ne njohim thesarin dhe zhvillimin e grupeve etnike të shoqërisë njerëzore që nga lashtësia e largët. Edhe pse pa dëshmi të shkruara shumëçka mbetet e errësuar për botën parahistorike, mirëpo të dhënat paleontologjike, arkeologjike dhe antropologjike janë ato që hapin përpara syve tanë botën e paditur dhe të heshtur që është aq e largët nga kohët tona. Monumentet e kulturës nuk kanë gojë si të njeriut për të folur por realisht dhe objektivisht flasin me gjuhën e fakteve dhe dëshmive të kohës të cilat janë burim i të dhënave të para studimore për përcaktimin e periudhave të caktuara.
Njeriu jo vetëm se është i lidhur ngushtë me kulturën, artin dhe religjionin, por ai është qenie kulturore, respektivisht një qenie e kulturës, artit dhe religjionit. Instinkti natyrorë i njeriut dëshiron ta zbukuroj dhe ta idealizoj jetën për t’i nxjerrë në pah anët e mira të jetës së tij, vlerat dhe krijimtarinë e vet artistike, estetike dhe religjioze si shprehje jetësore në përgjithësi. Mu për këtë kultura, religjioni dhe qytetërimi njerëzor ekziston qysh se ekziston shoqëria njerëzore. Kultura e lidh drejtpërdrejt ose tërthorazi përmbajtjen me formën, anën e brendshme me të jashtmen, të papashmen me të pashmen duke ngjizur antropologjinë kulturore, religjioze, gjuhësore, shoqërore, historike dhe filozofike. Kështu kultura në përgjithësi si proces shoqëror është dhe mbetët pasqyra më reale e një populli[2].
Në kohën antike fiset dhe popujt e kulturave dhe të qytetërimeve të ndryshme, njerëzit e dalluar për kah mençuria, interesoheshin për prejardhjen, gjenealogjinë e familjes, trungun e brezave të një fisi dhe të njëri – tjetrit. Njerëzit me ndihmën e kulturës materiale dhe shpirtërore ndajnë ndërmjet veti sjelljet e përbashkëta, mënyrën e të menduarit, të besuarit dhe të jetuarit. Tërë kjo ka lënë gjurmë të dukshme në formën e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore që nga lashtësia e largët parahistorike dhe gjatë gjithë shekujve me radhë deri sot e kësaj dite.
Kulturën shpirtërore të një grupi etnik dhe të një populli e pasqyrojnë monumentet e kulturës materiale. Si uji që pasqyron qiellin, edhe monumentet e kulturës në mënyrë të dukshme e pasqyrojnë kulturën, artin, religjionin, mënyrën e jetës dhe të epokës së një shoqërie. Lidhur me këtë shtrohet pyetja: Ç’është monumenti, kështjella me mure për tu mbrojtur? Ç’është bazilika, mozaiku, afresku? Ç’është trashëgimia kulturore, vlera e një monumenti kulturor që është shuar? Ç’është kultura dhe kundërkultura, vlerat kulturore të një shoqërie, e pa shkruara dhe e shkruara që flasin mbi të kaluarën e shoqërisë njerëzore?
Trashëgimia kulturore materiale e lujtshme dhe e pa lujtshme përfshinë të gjitha objektet e ndërtuara gjatë periudhave parahistorike dhe historike. Në këtë veprimtari krijuese të veprave materiale, kulturore dhe religjioze në Dardani bëjnë pjesë: mbetjet e vendbanimeve, rrënojat objekteve të qyteteve të lashta dhe të kështjellave të vjetra, pastaj objektet sakrale të krishterimit të hershëm siç janë: bazilikat, pagëzimoret (baptisterium), katakombet (Catacumbae, coemeterium ose hypogaeum), objektet e kishave të vogëla të ndërtuara ndër varre, objektet tjera sakrale siç janë: përkujtimoret kushtuar shpirtërave të ndjerë (memoria), përkujtimoret kushtuar martirëve të fesë (martyrium), manastiret, pastaj katedralet si dhe vendet dhe reliktet tjera të shenjta. Të gjitha këto dëshmojnë elementin shqiptar si dhe traditën e krishtere që i ka rrënjët e veta në popullsinë e vjetër iliro – shqiptare që mbisundonte në Dardani. Me pushtimin e trevave shqiptare nga Turqit në shek. XV të cilët e sollën fenë islame, filloi ndërtimi i tempujve të kultit islam siç janë: xhamitë, teqetë, tyrbetë etj.
Në trashëgimin kulturore të botës shpirtërore bëjnë pjesë: gjuha, religjioni, doket, zakonet tradicionale etj. Ndërsa kultura materiale në mënyrën e vet e përcjellë nga gjenerata në gjeneratë kulturën shpirtërore – ‘shpirtin’ e njeriut në shekuj që ka rëndësi dhe vlerë të veçantë historike dhe religjioze për të kaluarën dhe të ardhmen e një populli.
Depërtimi i grupeve etnike dhe popujve me kulturë të ndryshme në trojet dardane qysh nga parahistoria, kaluan pikërisht përmes kësaj treve të pasur pjellore, luginave të bukura dhe rrugëve kryesore. Në bazë të toponimeve dhe të përnjohjes së terrenit të Kosovës janë evidentuar një numër i madh i gjurmëve të rrënojave të mureve dhe artefakteve arkeologjike të periudhave të ndryshme si dhe të rrënojave sakrale siç janë emërvendet: “Kisha katolike”, “ Livadhet e kishës ”, “Vorret e kishës“, “Lisi i kishës“, “Kisha romake“, “Varret katolike“, ”Kisha ilire“, “Kodra e kishës“, “Bregu i kishës“, “Kroni priftit”, “Vendi kishës” etj. Shikuar të kaluarën historike, nga gjysma e dytë e shekullit IV e deri në fund të shekullit VI, në pjesën qëndrore të Dardanisë antike u ndërtuan një numër e madh i kishave, bazilikave monumentale krishtere iliro-shqiptare.
Mbi këtë flasin rrënojat e Manastirit të Studenicës, afër Vrellës së Istogut. Gërmimet e para arkeologjike në Sudenicë janë bërë në vitin 1930 nga dy amator kurreshtarë.[3] Një vit më vonë bëhët një raport i shkurtër i këtyre gërmimeve amatoreske[4]. Më vonë institucionet e Beogradit vazhdojnë gërmimet arkeologjike sistematike gjatë viteve 1965; 1966; 1967; 1968 dhe 1970 duke nxjerrur në dritë rrënojat e një qendre banimi të vjetër dhe të fortifikuar me dy kulla mbrojtëse[5], ndërsa pas gërmimit janë kryer konservime të nevojshme. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë qartë se kompleksi i manastirit të Studenicës është i ndërtuar mbi rrënojat e ndërtimeve të objekteve që i përkasin një periudhe më të hershme[6].
Edhe pse rezultatet e këtyre gërmimeve nuk janë botuar në tërësi por në formë të raporteve të shkurtëra dhe artikujve informativ, ato bindshëm dëshmojnë se pos gjetjeve të qeramikës dhe të materialit të lëvizshëm arkeologjik, gërmadhave të ndërtimeve dhe gjurmëve tjera, në arealin rrethues të këtij kompleksi është zbuluar bazilika paleokristiane e shekullit VI – kisha monumentale katolike me përmasa të mëdha si edhe dy kisha tjera më të vogëla me një struktur të përbërë dhe të veçantë që dallojnë nga ndërtimet tjera të mëvonshme[7]. Bazilika e madhe katolike është e ndërtuar me tri aniata (nefe), me një apsidë gjysmë harkore dhe me një nartekës në anën perëndimore të kompleksit kishtarë. Në anën veriore në strukturën e bazilikës është zbuluar një kript (gr. kripto – kripto – fshehur, mbuluar) shumë e madhe në të cilën janë zbuluar mbi 30 varre mbi të cilat konsiderohet të ket qenë ndërtuar një objekt sakral. Kripta në traditën e hershme të ndërtimeve të krishtera shërbente për mbledhjen e krishterëve për t’i kryer sherbesat e veta fetare dhe për varrimin dhe ruajtjen relikteve të njerëzve të shenjtë – shenjtërve dhe shenjëtreshave. Duhet theksuar se në fillim të krishterimit të hershëm kur Kisha Katolike ishte në ndërtim e sipër të institucioneve e veta[8], kripta ishte gropë, korridor, apo dhomë këndrejtë nën altar e quajtur “ad corpus” që don të thotë e dedikuar personalieteve të shenjëta. Më vonë paraqitën kripta të tipeve dhe llojeve të ndryshme në formë të katakombeve, të kapelave dhe kishave të vogla”[9]. Nuk përjashtohet mundësia që në kripten e zbuluar në Bazilikën monumentale katolike të Studenicës të ketë skelete të martirëve, ose objekti i zbuluar të jetë, ”martyrium ad corpus“ që don të thotë: kishë e karakterit varrorë e ndërtuar mbi varret e martirëve të krisherë sepse kisha nuk posedonte pronë private të përbashkët para Ediktit të Milanos (313). Para epokës konstandiniane pronë private të kishës kanë qenë vetëm varrezat locus religiosus – vend i shenjtë që e drejta romake vendet e tilla i mbronte me ligj. Kisha e hershme nuk kishte kurrfarë mbështetje ligjore për posedim pos varrezave ku ajo kishte mundësi t’i realizoj ritet e veta liturgjike dhe format tjera fetare. Kështu edhe në kohën apostolike, Shën Pjetri e Shën Pali u varrosën në Romë në varreza pagane, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Kështu ishte edhe në provincat tjera romake, ndërsa në Lindje të krishterët fillimisht varrosëshin bashkë me hebrenjtë. Të krishterët nuk përjashtoheshin as nuk persekutoheshin pse janë të krishterë, por për shkak se ata refuzonin ti adhuronin hyjnit dhe kultet pagane dhe kështu konsideroheshin si element anti shtetërorë.
Mbi themelet e Bazilikës paleokristiane të zbuluar në Studenicë, serbet në mesjetë – në shekullin XIII ndërtuan kisha të reja duke e bërë Studenicën kryepeshkopatë autoqefale serbe e disa vjet më vonë edhe Provincë kishtare apo Metropoli ku qëndronte paria e lartë e kishës ortodokse.
Në realitet serbët e pranuan krishterimin vonë. Fillimisht kur kaluan në krishterin ata vetëm bënë meremetime të vogëla apo edhe të mëdha e më vonë ndërtuan edhe kisha të reja mbi themele të kishave të vjetra katolike siç është Manastiri në Graçanicë, afër Prishtinës në shek. XIV, kisha e Shën Prenës (Levishka) në Prizren, Patrikana e Pejës e shumë objekte tjera kishtare. Këtë fat të keq e paten të gjitha kishat tjera katolike në Dardani.
Pos objekteve kishtare, në kompleksin bazilikal në Studenicë janë zbuluar edhe ndërtime tjera përcjellëse, si psh. salla e ngrënjës dhe pirjes, konaqet e manastirit, sistemi i ujësjellësit, infrastruktura e brendshme e arealit të kompleksit etj.
Gërmimet arkeologjike tregojnë se në këtë lokaltet kemi të bëjmë me disa periudha dhe faza ndërtimi me një rend të ndryshem kronologjik. Koha e ndërtimi të bazilikës paleokristiane në Studenicë i përket periudhës së sundimit të Perandorit ilir, Justini i Madh (527 – 565) i cili arriti kulmin e lulëzimit në të gjitha fushat e jetës si në veprimtarinë ndërtuese, të artit, ekonomisë, bujqësisë, tergëtisë etj. i njohur si një nga figurat më të mëdha dhe më të famshme të historisë së Perandorisë Bizantine. Nëse duam të bëjmë krahasime, shohim se bazilika e Studenicës ka ngjajshmëri me bazilikat tjera në trevat e Dardanisë siç është ajo e shën Florit dhe Laurit në qytetin antik të Ulpianës afër Prishtinës e cila definitivisht u braktisë para pushtimeve Avare, Sllave dhe fiseve tjera barbare[10].
Duhet theksuar se zbulimet arkeologjike gjatë viteve të fundit në komunën e Istogut si dhe të Lugut të Drinit me rrethinë kanë nxjerrë në dritë një repertor faktesh dhe të dhënash të reja arkeologjike që argumentojnë vendodhjen dhe shtrirjen e saktë të monumenteve sakrale të periudhës antike. Kjo dëshmon se manastiri i Studenicës mund të ketë qenë një seli ipeshkvore e krishterimit të hershëm. Dardania dhe mbarë Iliria kishte një pozitë të përshtatshme gjeografike dhe gjeostrategjike sepse ajo ishte një portë e madhe e Ballkanit dhe Europës që lidhte Lindjen me Perëndimin, dhe që në fillim u bë një nga trevat kryesore të përhapjes së krishterimit qysh nga koha e apostolike ku Shën Pali iu drejtohet Romakëve me anë të një shkrimi dhe thotë: “Qysh prej Jerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”[11].
Mirëpo, gjatë shekullit IV dhe definitivisht pas rënies së Perandorisë Romake (476) treva dardane ra pre e dyndjeve të shumta barbare. Fatkeqësitë, vuajtjet dhe dëmet e mëdha në trevën e Dardanisë filluan me dyndjen e sllavëve. Raporti i forcave ishte në anën e barbarëve. Dyndjet gote, hune, avare e sllave, si dhe të ndonjë popullate tjetër të ardhur nga Veriu dhe Lindja përgjatë shekujve V-VII, janë shoqëruar më dëme shumë të mëdha dhe në ndërrimin e hartës dhe të kufijëve të Dardanisë, që kishte përfshirë, pothuajse të gjitha qendrat e njohura të cilët shkatërronin gjithçka që kishin përpara. Kështu para këtyre sulmeve shkatërruese të berbarëve, u gjunjëzua jo vetëm Dardania, por tërë Iliriku i cili përjetoj plaçkitje dhe rrënim të pamëshirshëm. Kronistët e kohës masakrat e pushtuesve barbarë në Dardani i përshkruajnë si shumë të tmerrshme: “…Me rrëqethet shtati kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë. Në vazhdim të njëzet vjetëve…gotët, sarmatët, hunët, vandalët, sllavët dhe narkomanët shkatërronin, plaçkitnin dhe grabisnin…Maqedonin, Dardaninë, Dakinë…Kudo zi, kudo afshe dhe hija e madhe e vdekjes”.[12] Krejt kjo krijoj një situate të re dhe ndikoj në krijimin e një sistemi të ri fortifikues në përputhje me nevojat mbrojtëse të vendbanimeve dhe qendrave urbane. Në mungesë të ushtrisë, perandori Justiniani I (parë) me qëllim të frenimit të sulmeve sllave, ngriti sisteme të dendura fortifikatash. Treva e Kosovës së sotme – e Dardanisë deri diku kishte një paërparësi për tu mbrojtur nga sulmet, duke iu falenderuar maleve që zgjateshin rreth e përqark sajë.
Mjerisht historia shpeshherë nuk ishte në anën tonë. Tragjeditë filluan kur në Gadishullin Ilirik erdhën ardhacakët serb si pushtues të paganizuar dmth. të papagëzuar në fenë e krishterë. Në këto troje ata e gjetën një popullësi autoktone dhe kompakte të formuar në truallin historik të Ilirisë, e cila ishte e formuar mirë edhe në fenë e vet të krishterë, por për dallim nga popujt tjerë, ata këmbëngulen me forcë në tokën e bukur dhe të pasur dardane. Monumentet e periudhës së invazionit barbarë u dëmtuan rëndë dhe u rrënunan tërësisht dhe vështirë mund t’i gjeshë në gjendjen fillestare.[13]
Burimet e shkruara historike për serbët në trojet Iliro – Dardano – Shqipare deri në shekullin X dhe XI janë të pakta. Materiali i zbuluar arkeologjik shumë pak e plotëson bashllëkun e shkrimeve.[14] Serbët shumë vonë e pranuan krishtërimin. Konstantin Porfirogeneti (Constantine Porphyrogenitus, (905 – 959), perandor dhe historian i shquar bizantin thotë se Serbët shumë vonë e pranuan krishterimin dhe me vështirësi hiqnin dorë nga tradidat dhe mësimet e tyre pagane. Mirëpo me pranimin e fesë së krishterë filloj uzurpimi dhe tjetërsimi i kishave katolike të cilave ua ndryshuan format, stilet dhe mënyrën e ndërtimit dhe të qëllimit duke ia përshtatur kulturës së tyre dhe duke i identifikuan si kisha serbe. Kështu Serbët u bënë pronar të rrejshëm dhe jolegjitim të kishave të përvetësuara katolike. Gjatë periudhës Nemanjide mbi themelet e kishave të vjetra katolike, serbët ndërtuan kisha të reja të shekullit XIII – XIV të ritit lindoro – bizantin të cilat sot i quajnë: “themelet dhe djepi i shtetit Serb.” Lidhur me këtë pohim e vërteta është krejt ndryshe. A është Kosova djep i civilizimit Serb? Ne shqiptarët e dimë më së miri qyshë kur filloj propaganda anti-shqiptare në Sërbi në shek. 19-të kur ndodhen dëbime masive me dhunë të shqiptarëve etnik nga rajonet e pushtuara (kryesisht nga rrethi i Toplicës, dikur i banuar me shqiptarë) dhe duke djegur fshatrat shqiptare dhe pjesë të shumta të qyteteve. Vlen të thekësojmë se shumë intelektualë serbë kanë propozuar projekte të ndryshme anti-shqiptare siç janë: Jovan Cvijic, Vasa Çubriloviç, Ivo Andriç, Stevan Moljević dhe të tjerët. Se sa është Kosova djep i civilizimit Serb këtë dëshmojnë masakrat dhe gjenocidi serb gjatë luftës së vitetve 1998 – 1999 në Kosovë.
Në bazilikën e Studenicës ashtu edhe në shumë bazilika tjera, nga pjesët e ruajtura të kishave katolike, filloj rindërtimi i kishave të reja serbe në të cilat futën elemente të reja tjetërsimi, pa u përmendur asnjë argument dëshmues historik as arkeologjik mbi origjinen e tyre si dhe pa pasur argumente se ato janë kisha serbe. Për asnjë kishë në Kosovë qe i përket rrënjëve të lashtësisë sonë, pra të ndërtimeve paraserbe, nuk ekziston asnjë argument se ato janë kisha serbe sepse të gjitha ato janë të periudhës iliro – shqiptare, pra janë kisha katolike qe meritojnë përkujdesje dhe hulumtim të veçantë.
Pos kompleksit bazilikal të Studenicës ndër shumë shembuj tjerë të tjetërsimit vlen të përmendim gërmimet arkeologjike në Patrikanën e Pejës gjatë viteve 1931- 1932, ku u zbuluan themelet e një kishe shumë më të vjetër se sa kisha e ekzistuese. Hulumtimet arkeologjike në Patrikanë na ofrojnë të dhëna se themelet e zbuluara jenë të dhënat e para që flasin për themelet e një bazilike madhështore paleokristiane me tri aniata.[15]
Kështu rrënojat e Manastirit të Studenicës flasin me gjuhën e fakteve arkeologjike dhe historike. Duke u mbështetur në gjurmët arkeologjike të zbulimeve të deritashme si dhe në të dhënat e shumta historike del se e vërteta jonë shqiptare nuk mund të humbet as nuk mund të vdes kurrë. Këtë e dëshmonë edhe kompleksi i Manastirit të Studenicës që të vërtetën e saj e nxorën në shesh gërmimet arkeologjike dhe të dhënat historike.
Rrënjët tona të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare janë të thella. Ato i vërtetojnë të dhënat arkeologjike dhe historike të cilat na ofrojnë dëshmi të mjaftueshme shumëshekullore mbi begatinë e të kaluarës sonë. Duke gjurmuar të vërtetën ajo vetvetiu del në shesh dhe kërkon trajtim specifik dhe praktik. Sepse, e vërteta na mëson origjinën, na bënë popull që gëzon lirinë e plotë që nderon të kaluarën për të sotmen e lirë dhe të ardhmen e sigurt. E vërteta edhe nëse duket se ka humbur në histori, ajo një ditë del në dritë për ta mbrojtur veten. Gjendja jonë reale ndryshon kur ne ndërrojmë veten për ta njohur të vërtetën. Populli shqiptar sipas gjuhës, kulturës, traditës, territorit dhe jetës së tij në përgjithësi, është një kombë, një racë e lashtë që meriton respekt dhe trajtim të drejtë, por që dallgët e historisë shumëherë e kanë përplasur përtokë. Ne ishim këtu, mbetëm këtu dhe do të jemi këtu gjithmonë sepse jemi në trojet tona të lashta iliro – arbnoro – shqiptare.







