Ballina Sport City ngec sërish, “qytetarët” barazojnë me Brighton e i dhurojnë “assist” Arsenal-it,...

City ngec sërish, “qytetarët” barazojnë me Brighton e i dhurojnë “assist” Arsenal-it, Pep Guardiola: Nëse nuk fitojmë ndeshje si kjo, nuk mendojmë dot për titullin

0
32

Manchester City ngec brenda në shtëpi ndaj Brighton në sfidën e vlefshme për javën e 21 të Premier League. “Qytetarët” i japin kështu një shans Arsenalit, pasi nuk shkuan më shumë se sa barazimi 1-1 ndaj Brightonit. Në pjesën e parë vendasit shtyjnë fort dhe e zhbllokojnë ndeshjen në minutën e 41-të: penallti e fituar nga Doku dhe e realizuar nga i zakonshmi Haaland.

Pas pushimit, miqtë duken më energjikë dhe në minutën e 60-të gjejnë barazimin përfundimtar me Mitoma. Në gjysmë orën e fundit, skuadra e Pep Guardiolës u përpoq të rikthehet në avantazh, por nuk ia dolën dot. Pas këtij 1-1, Manchester City regjistron të tretin barazim radhazi, duke mbetur në vendin e dytë së bashku me Aston Villën, ndërsa Arsenali tani ka mundësinë të shkëputet në +8, duke krijuar një avantazh të konsiderueshëm.

I zhgënjyer në përfundim të takimit ishte edhe tekniku Pep Guardiola: “Sigurisht, nëse nuk fiton ndeshje, nuk mund të mendojmë për këto gjëra,” tha Guardiola kur u pyet nëse City ishte ende në garë për titullin. Guardiola u ankua për rastet e shpërdoruara të Cityt, ndërsa Brightoni iu bashkua Chelseat dhe Sunderlandit duke e frustruar me sukses spanjollin në tri ndeshjet e fundit. “Rezultati është rezultati. Nuk jam një person që beson se ajo që kemi bërë nuk është e drejtë. Një pikë për ta, një pikë për ne. Kaq është,” u shpreh ai. “Më pëlqeu shumë mënyra se si luajtëm, bëmë shumë gjëra të mira, por nuk shënojmë gola. Ka tepër raste të pastra.“Kjo është arsyeja pse nuk arritëm t’i fitojmë ndeshjet.”