Ballina Kosovë Historia e “çuditshme” e fitoreve zgjedhore, Vetëvendosje “më e mira dhe më...

Historia e “çuditshme” e fitoreve zgjedhore, Vetëvendosje “më e mira dhe më e keqja”

43
0

Vetëvendosje është partia që regjistroi fitoren më të lartë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Në votimet e 28 dhjetorit, lëvizja e Albin Kurtit kapi shifrën më të lartë ndonjëherë, nga të gjitha subjektet, sipas një krahasimi që ka bërë Kosovapress.

Sipas të dhënave më të fundit të KQZ-së, Vetëvendosje mori 51.11 për qind të votave.

Kjo parti është pronare edhe e rezultatit të dytë më të lartë zgjedhor në vend. Kjo shifër u arrit më 14 shkurt 2021, kur arkëtoi 50.3 për qind të votave.

Rezultatin e tretë më të mirë në historinë elektorale të Kosovës e mban LDK. Shifra e “pabesueshme” që u kap nga kjo parti në zgjedhjet e para të pasluftës, më 17 nëntor 2001, ishte 45.65 për qind.

LDK mban edhe pozitën e katërt, pasi në votimet e dyta nacionale, më 24 tetor 2004, fitoi 45.42 për qind të votave.

Vetëvendosje kthehet në pozitën e pestë, me rezultatin prej 42.3 për qind, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

PDK, ani se ka qeverisur më së gjati me vendin, rezulton të jetë pronare vetëm e rezultatit të gjashtë më të mirë elektoral ndonjëherë. Kjo parti, në zgjedhjet e 17 nëntorit 2007, të cilat njihen edhe si “zgjedhjet e pavarësisë” kapi 34.32 për qind të votave të kosovarëve.

I udhëhequr nga Hashim Thaçi, ky subjekt ruan edhe pozitën e shtatë përsa u përket fitoreve elektorale. Në 12 dhjetor 2010, PDK doli e para me 32. 11 për qind.

Edhe vendi i tetë i takon këtij subjekti. Më 8 qershor 2014 triumfoi me 30.38 për qind.

Pronare e rezultatit më të dobët si fituese e ndonjë palë zgjedhjeve, megjithatë, është Vetëvendosje. Partia e Albin Kurtit triumfoi votimet e 6 tetorit 2019, duke marrë besimin e vetëm 26.27 për qind të qytetarëve.