Ballina Opinion Taksat e mia për dëmet e tua, a është kjo zgjidhja? Dhe...

Taksat e mia për dëmet e tua, a është kjo zgjidhja? Dhe shteti që del bujar se “zgjidh qesen”

45
0

Nga Edvin Peçi

“Dëmshpërblim” është fjala kyçe e këtij fillimviti. Pas përmbytjeve të fundit, që ende nuk janë tërhequr plotësisht në disa zona të vendit, por që goditën më fort disa qytete si Durrësin dhe Lezhën, banorë dhe biznese dolën në media për të bërë vetëvlerësimin e dëmeve dhe për të kërkuar dëmshpërblim nga shteti. Një skenë e njohur, e përsëritur, thuajse e pritshme.

Reagimi i qeverisë ishte i menjëhershëm. Kryeministri premtoi këtë të premte dëmshpërblim për dëmet në banesa dhe për humbjen e gjësë së gjallë, ndërsa Ministri i Financave bëri me dije se janë në dispozicion rreth 50 milionë euro, nga të cilat deri në 15 milionë euro do të përdoren për dëmshpërblime. Një përgjigje e shpejtë, por jo domosdoshmërisht një zgjidhje e drejtë.

Sepse pyetja thelbësore nuk është vetëm sa para do të jepen, por nga do të dalin këto para. Dhe përgjigjja është e qartë: nga buxheti i shtetit. Nga taksat e mia, të tuat dhe të mijëra qytetarëve e bizneseve që përpiqen të punojnë ndershmërisht në këtë vend, që paguajnë detyrimet e tyre dhe që, një pjesë, edhe kanë zgjedhur të sigurojnë pronën, biznesin dhe jetën e tyre.

Ndërkohë, për ironi, projektligji për sigurimin e detyrueshëm ndaj katastrofave natyrore, fillimisht për tërmetin, vazhdon të mbetet në sirtar. Një ligj që diskutohet prej vitesh, që u rikthye fuqishëm në vëmendje pas tërmetit shkatërrues, u hodh në konsultim publik në fund të korriku dhe që tani ka ngecur.

E njëjta qasje u ndoq edhe pas tërmetit të para gjashtë viteve. Dëmshpërblime, fonde publike, rindërtim me para buxheti. Por faktet sot janë kokëforta: procesi i rindërtimit ende nuk ka përfunduar. Ka familje që vazhdojnë të jetojnë në kontenierë, në banesa provizore, apo, edhe më keq, në pallate që mbartin rrezik real shembjeje dhe që mund t’i zënë brenda në rastin e një tërmeti tjetër.

Në të njëjtën kohë, ekziston edhe një e vërtetë tjetër, që shpesh edhe anashkalohet: ata qytetarë apo biznese që kishin sigurim prone u dëmshpërblyen nga kompanitë e sigurimit menjëherë pas vlerësimit prej tyre të dëmeve të tërmetit, për një faturë totale prej rreth 40 milionë euro. Pa zhurmë, pa premtime politike, pa kosto për buxhetin e shtetit. Thjesht sipas kushteve të kontratës.

Atëherë lind pyetja legjitime: deri kur do të vazhdojmë kështu? Deri kur katastrofat natyrore do të trajtohen si emergjenca buxhetore dhe jo si rrezik financiar i menaxhueshëm? Pse dëmshpërblimi duhet të paguhet nga taksat e mia, kur unë vetë kam paguar sigurimin e pronës? Pse një qytetar i pasiguruar trajtohet njësoj si ai që ka marrë përgjegjësi financiare dhe ka investuar në sigurim?

Në pjesën më të madhe të botës, përgjigjja është e qartë: sigurimi është mekanizmi kryesor për përballimin e katastrofave natyrore. Shteti ndërhyn vetëm për rastet sociale, për emergjencën e parë dhe për infrastrukturën publike, jo për të zëvendësuar rolin e tregut dhe as për të krijuar iluzionin se buxheti mund të përballojë çdo fatkeqësi.

Shqipëria ka nevojë urgjente të dalë nga ky cikël i dëmshëm i premtimeve pas fatkeqësive dhe të kalojë te parandalimi, menaxhimi i riskut dhe sigurimi. Përndryshe, çdo përmbytje, çdo tërmet apo zjarr i madh do të kthehet sërish në një faturë kolektive, të paguar nga të gjithë, edhe nga ata që kanë bërë gjithçka siç duhet.

Dëmshpërblimi nuk mund të jetë strategji. Sigurimi po.