Parku fotovoltaik i Karavastasë, vepra gjeneruese më e madhe në vend e energjisë diellore është stakuar për shkak të përmbytjes masive. Kapitali ka siguruar pamjet, të cilat tregojnë se uji ka vërshuar në të gjithë territorin e parkut diellor të kompanisë franceze Voltalia.
Burime i thanë Kapitalit se stakimi i parkut është bërë ditën e djeshme, pasi uji arriti në afërsi të paneleve. Ndonëse këto të fundit kanë një lartësi prej 1.5 metër nga toka, uji ka arritur deri në 1.2 metër.
Tashmë inxhinierët e Voltalias janë duke bërë vlerësimin e dëmeve, ndërkohë që impianti pritet të vihet sërish në punë pas një jave.
Parku fotovoltaik i Karavastasë ka një fuqi të instaluar prej 140 MW. Kjo vepër ka kushtuar rreth 140 milionë euro dhe është ndërtuar nga gjigandi francez Voltalia.
Ndërtimi i impiantit gjenerues të Karavastasë zë fill në vitin 2020, kur qeveria shqiptare e prokuroi këtë vepër përmes një ankandi. Voltalia u shpall fituese në ankandduke ofruar një çmim të shitjes së energjisë për shtetin 24.89 euro për mega.
Sipas marrëveshjes shteti ble automatikisht gjysmën e energjisë së prodhuar nga ky impant për çmimin 24.89 euro për mega, ndërkohë që Voltalia ka të drejtë që gjysmën tjetër ta shesë në treg të lirë.







