Ballina Opinion Përmbytja me llumin e gënjeshtrave dhe e vërteta jetime

Përmbytja me llumin e gënjeshtrave dhe e vërteta jetime

15
0

Nga Ilir Yzeiri

Në të gjitha tekstet e komunikimit pranohet se media, e cila qëndron në mes të publikut që e ndjek, pra e lexon ose e sheh, dhe ngjarjeve, në asnjë rast nuk tregon me saktësi atë që ndodh, sepse për të rrëfyer, fjala vjen, se çfarë ndodhi me përmbytjen në Shqipëri do të duhej të përshkruhej me detaje çdo episod në çdo cep të Shqipërisë ku ishte vënë re kjo dukuri. Pra, do të duheshin mijëra faqe, dhjetëra orë transmetim, e kështu me radhë. Ndaj, raportimet serioze, për të dhënë një panoramë sa më pranë së vërtetës mbështeten te të dhënat dhe te shifrat, pra tregojnë edhe atë që nuk duket ose atë që publiku nuk mund ta shohë. Alarmizmi, spektakolarizimi i së keqes janë më afër natyrës perverse të njeriut i cili, përgjithësisht, tërhiqet më shumë nga shfaqja e së keqes sesa nga neutraliteti i rutinës. Gjatë përmbytjeve që ndodhën kohët e fundit, raportimet dhe foltoret e habereve të darkës zienin nga turbullira që shkaktonte vlimi i urrjetjes kundër atyre që kishin vjedhur hidrovoret, që kishin mbyllur kanalet, shkurt, të krijohej përshtypja se vendi ishte pranë një apokalipsi.

Në fakt, dekore dhe skena të tilla, gati hollivudiane, me përmbytje e me shtëpi nën ujë, një bari me një dele në krah që e shpëton nga uji janë sugjestionuese dhe e çojnë efektin konotativ të imazhit në shkallën më të lartë. Dhe, ashtu, në delir, publikut i përcillet ideja se në përmbytjen e radhës askush nuk do të shpëtojë gjallë. Ndërkaq, inxhinierë të zotë, profesionistë që kanë punuar një jetë të tërë në projektime e në zbatime veprash të mëdha, ndodhen diku në një cep të autostradës së madhe të informacionit dhe ata, herë pas herë, reagojnë duke treguar me fakte një realitet tjetër. Për çudi, postimet e tyre nuk kapen nga algoritmi dhe nuk shumëfishohen sepse në ato informacione është e vëreta neutrale, ajo që nuk prodhon efekte negative që të ndezin turmën. Një ndër ta është edhe inxhinieri Bardhyl Bejo. Ja si shkruan ai për këtë rast :

« Nuk e di, por shpesh të kap pezmatim nga mënyra se si media e ndjek situatën e përmbytjes të këtyre ditëve. Një disfatizëm i pajustifikuar e tepër “djallëzor” sipas mendjes sime. Për më tepër, kur edhe të ashtuquajtur profesionistë e shumëfishojnë këtë gjendje. Dje dëgjova apo lexova një që e mbante veten për inxhinier, për çudi … gjeodet (nga ata që rilevojnë terrenin) që merte përsipër të “sqaronte” situatën teknike të … tunelit të “famshëm” të Llogarasë. Diku ka rrjedhur një curril uji dhe ai pretendonte të jepte një panoramë inxhinierike përfundimtare. Uji ka mbuluar sipërfaqen e jashtme të tunelit thotë ky “inxhinier”, shpëlan apo gërryen betonin dhe e DOBËSON atë, ku përveçse dëmtohet hekuri, krijohen hapësira prej nga futet uji brenda. Çfarë batakçi “profesionist”! Për dijeni, në raste shiu, jo vetëm tuneli por gjithëçka nën sipërfaqe “noton” në ujë. Pa dyshim edhe tuneli. Por, së pari, uji nuk e dëmton betonin. Përkundrazi e ndihmon jo vetëm të ruajë markën e projektuar, por edhe (me kohë) ta rrisë atë. Së dyti, tuneli nuk është një strukturë që punon si një urë, ku dëmtimi i një seksioni influencon në krejt urën. Çdo metër tuneli, nga pikëpamja konstruktive, kryesisht, thuajse punon në mënyrë të pavarur. Pse ta zgjas?! Ta fiksojmë mirë.

Tunelet, pas realizimit të tyre, aq më tepër kur si në rastin e Llogarasë ka filluar ndërtimi para 4 vitesh dhe është venë në funksionim një vit më parë sipas projektit, është një konstruksion ndërtimor i padëmtueshëm (kërkon detyrimisht mirëmbajtje e vëzhgim të kujdesshëm) dhe i sigurtë, përveç në raste tërmeti me 10 e më tepër shkallë Rihter, katastrofë që mund të rrafshojë gjithëçka, së pari reliefin malor ku ai është ndërtuar. Edhe një fjalë për përmbytjen e fushave. Tashmë është e qartë pse ndodhin përmbytjet e fushave, aq më tepër ato të zonës bregdetare. Le të shpresojmë se dëmtimet e këtij viti, si dhe të atyre që kanë ndodhur më parë, e kanë nxjerë fare qartë mungesën “kriminale” të mirëmbajtjes të elementëve e veprave mbrojtëse. Por, nuk duhet që të na hutojë paniku. Dëmi i këtij viti nuk është i pallogaritshëm, katastrofik.

Përkundrazi në krahasim me ndërtimet dhe mirëmbajtjen “mizerabël” që kemi realizuar, dëmi është minimal, i përballueshëm. Nga 750 mijë ha tokë bujqësore, nga të cilat afro 250 mijë në zonën fushore e bregdetare, janë përmbytur rreth 13 apo14 mijë ha, dmth rreth 5 përqind e zonës fushore dhe 2 përqind e totalit. Le të shpresojmë se dëmi është i këtij rendi dhe moti do të përmirësohet.”, përfundon inxhinier Bardhyl Bejo. Çfarë të shtosh më shumë? Është e vërtetë se media nuk i raporton publikut, por e krijon atë, pra, me mënyrën si e zgjedh lajmin, si e tregon dhe çfarë kërkon të arrijë, ajo ndërton një publik që mendon ashtu si autori i lajmit. Kjo krijon atë pasqyrimin binar, pra dypalësh të realitetit, kur mediat janë nën trysninë politike. Në mes gjithnjë gjëndet një informacion neutral. Por ai, në kushtet e rrjeteve sociale dhe në kohën kur agjenti digjital përcakton edhe dendësinë e përhapjes dhe pëlqimet për atë lajm, deformimi, e keqja si virtyt i viktimave imagjinare dhe përhapje e fake news-it janë më tërheqëse dhe qarkullojnë më me lehtësi. Ndaj edhe postimet e inxhinier Bardhyl Bejos nuk e tërheqin agjentin digjital dhe gazetarët që raportojnë për ditët e kiametit.