Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj thotë se protestat e ndërmarra nga Sali Berisha dhe protesta kombëtare e paralajmëruar prej tij më 24 janar, nuk pritet të sjellë asgjë. Për të është një periudhë e dendur protestash, por që janë të shoqëruar me një lloj paradoksi. Sipas Alibeajt, ky paradoks ka të bëjë me atë që po ndodh me mazhorancën dhe ndërkohë nuk është reflektuar në aksionin opozitar.
”Nuk më rezulton ndonjë gjë ndryshe nga çka bërë deri më tani, në kuptimin që ka bërë disa protesta dhe jo vetëm Partia Demokratike, por edhe disa parti të tjera. Stinë e dendur protestash ka qenë. Ajo që të bie në sy është fakti se nuk ka ndonjë mobilizim publik me këto protesta.
Çdokush e ka të thjeshtë të kuptojë një lloj paradoksi; sepse ajo që po ndodh në mazhorancë prej muajsh për të mos thënë më tepër tregon shumë për gjendjen politike të qeverisjes dhe jo vetëm, e cila në mënyrë proporcionale do të duhet të ishte reflektuar edhe tek aksioni ta quajmë opozitar”, tha Alibeaj në ”RTSH”. Ai vuri në dukje se ngjarjet që kanë shoqëruar qeverisjen e kryeministrit Edi Rama nuk janë pasuar me mobilizimin që duhet të kishte pasur opozita përballë qeverisë.
”Ngjarje të tilla si procedimi penal i përfaqësuesve të lartë të qeverisë siç është zëvendëskryeministrja në këtë rast apo edhe lufta e shpallur e kryeministrit me sistemin e drejtësisë tregon një gjendje jo qetësie të qeverisë dhe kryeministrit, një gjendje sikleti. Madje ngjarje kaq të mëdha sa edhe në publik rezonojnë. Do të ishte e logjikshme që nga ana opozitare të kishte një lloj mobilizimi, një lloj sjellje ndryshe. Të ishte një shtysë për një organizim masiv”, u shpreh ish-deputeti i PD-së.



