Nga Eduard Zaloshnja
Nga një ekstrapolim statistikor i sondazhit të fundit “Zëri i Shqiptarëve’, më rezultoi se po të ishin zhvilluar zgjedhje të parakohshme më 12 janar, do të votonin brenda vendit rreth 1.09 milionë zgjedhës të këtushëm. Nga këta, rreth 643 mijë do të votonin për PS, rreth 375 mijë për PD-ASHM, dhe rreth 72 mijë për partitë e vogla. Me një përllogaritje të përafërt statistikore (bazuar në lokacionet e të anketuarve nëpër 12 qarqet), më rezultoi se PS-ja mund të siguronte deri në 87 mandate, PD-ASHM deri në 49 mandate, dhe partitë e vogla deri në 4 mandate.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, votuan brenda vendit 1.463 milionë zgjedhës. Prej këtyre, 57 mijëve u shkoi vota dëm, sepse u ngatërruan me fletëvotimin e ndërlikuar. Por duke i shpërndarë përpjestimisht mes partive këta 57 mijë votues që u shkoi vota dëm, rezulton se për PS-në votuan rreth 763 mijë zgjedhës të këtushëm, për PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj (PD-ASHM) votuan rreth 500 mijë, dhe për partitë e vogla votuan rreth 200 mijë. Ndërsa mandatet parlamentare u ndanë 83 PS, 50 PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj (PD-ASHM), dhe 7 partitë e vogla.
Në prillin e vitit 2021, votuan brenda vendit 1.662 milionë zgjedhës. Prej këtyre, 83 mijëve u shkoi vota dëm, sepse u ngatërruan me fletëvotimin e ndërlikuar. Por duke i shpërndarë përpjestimisht mes partive këta 83 mijë votues që u shkoi vota dëm, rezulton se për PS-në votuan rreth 809 mijë zgjedhës të këtushëm, për PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj votuan rreth 770 mijë, dhe për partitë e vogla votuan rreth 83 mijë (shihni grafikun e mëposhtëm). Ndërsa mandatet parlamentare u ndanë 74 PS, 63 PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj, dhe 3 partitë e vogla (PSD).
Në pamje të parë, duket paradoksale që sa më të pakta janë votat për PS-në, aq më shumë mandate parlamentare siguron ajo. Por ky fenomen elektoral ka në thelb një mekanizëm të thjeshtë aritmetik – kur rënia e pjesëmarrjes është më e theksuar në krahun opozitar, partia e madhe mazhoritare mbledh mandatet që humbasin partitë opozitare (sepse numri total i mandateve është fiks në një sistem elektoral si ky që kemi ne aktualisht).
SHËNIM I RËNDËSISHËM: Në maj 2025 morën pjesë në zgjedhje edhe emigrantë (me vota të dërguara me postë), por votat e tyre pothuaj nuk ndikuan fare në ndarjen e mandateve parlamentare. Vetëm 1 mandat nga 140 (një në Vlorë) u përcaktua nga votat e emigrantëve të dërguara me postë. Madje edhe ai mandat i vetëm u përcaktua para se të fillonte numërimi i votave nga Greqia…









