Ballina Ekonomia Projektvendimi për peshkimin, rregulla të reja për organizatat e prodhuesve, planet dhe...

Projektvendimi për peshkimin, rregulla të reja për organizatat e prodhuesve, planet dhe etiketimin

29
0

Qeveria ka nxjerrë në kondultim publik një projektvendim që synon të riorganizojë mënyrën e funksionimit të tregut të produkteve të peshkimit dhe akuakulturës në Shqipëri, duke e afruar atë me kuadrin e Bashkimit Evropian për “organizimin e përbashkët të tregjeve”. Në thelb, akti përfshin një sërë rregullash që prekin të gjithë zinxhirin: nga organizimi i prodhuesve dhe planifikimi i prodhimit, te standardet e marketingut dhe informacioni i detyrueshëm për konsumatorët. Qëllimi është rritja e konkurrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së produkteve, si në tregun e brendshëm ashtu edhe në perspektivën e integrimit evropian.

Sipas projektvendimit, organizimi i tregut do të mbështetet te disa elementë kyç, ku përfshihen organizatat e prodhuesve, standardet e marketingut, informacionet për konsumatorin, rregullat e konkurrencës dhe informacionet mbi tregjet.  Një peshë e veçantë i jepet rolit të organizatave prodhuese dhe ndërsektoriale, të cilat parashikohet të mbështeten edhe financiarisht nga skema e masave mbështetëse të ministrisë.

Një nga risitë praktike është vendosja e detyrimit që çdo organizatë prodhuese të hartojë dhe zbatojë “planin e prodhimit dhe marketingut”, ku përfshihet programi i prodhimit, strategjia e tregtimit, masat për arritjen e objektivave dhe penalitete për anëtarët që nuk e respektojnë planin. Afatet janë të detajuara: plani i parë dorëzohet brenda 8 javëve nga njohja e organizatës, ndërsa planet pasuese të paktën 8 javë para përfundimit të vlefshmërisë së planit ekzistues. Ministria duhet të shprehet brenda 6 javëve për miratimin; nëse kërkohen ndryshime, organizata ka 2 javë për ta riparaqitur planin, ndërsa miratimi i planit të ndryshuar ka afat 4 javë. Nëse ministria nuk shprehet brenda afateve, plani konsiderohet i miratuar “në heshtje”.

Projektvendimi vendos gjithashtu standarde marketingu për produktet e peshkimit të destinuara për konsum njerëzor, të zbatueshme pa dallim për produktet vendase dhe ato të importuara. Standardet lidhen me cilësinë, madhësinë, peshën, paketimin, prezantimin dhe etiketimin, ndërsa parimi kryesor është që në tregun e brendshëm mund të hidhen vetëm produkte që përputhen me këto standarde.  Produktet që nuk përmbushin standardet nuk “digjen” automatikisht nga zinxhiri, por mund të përdoren për qëllime të tjera (p.sh. ushqim për kafshë, vaj peshku, produkte farmaceutike/kozmetike).

Nga këndvështrimi i konsumatorit, elementi më i prekshëm është etiketimi i detyrueshëm me informacion të detajuar. Për produktet e listuara në shtojcën përkatëse, të tregtuara në tregun e brendshëm, parashikohet që etiketimi të përfshijë: emrin tregtar dhe shkencor të species, metodën e prodhimit (i zënë/i zënë në ujëra të ëmbla/i kultivuar), zonën ku është zënë ose kultivuar dhe kategorinë e veglave të peshkimit, si edhe nëse produkti është shkrirë dhe, kur është e nevojshme, datën e jetëgjatësisë minimale.  Detyrimi shtrihet edhe te institucionet që përdorin këto produkte (shkolla, spitale, mensa, burgje etj.), çka e bën gjurmueshmërinë dhe transparencën pjesë të konsumit publik dhe privat njëkohësisht.

Për stabilizimin e tregut, parashikohet edhe mekanizmi i ruajtjes së produkteve kur shitja nuk realizohet në nivelet e synuara. Projektvendimi përcakton që produktet të qëndrojnë në ruajtje të paktën 5 ditë kalendarike, ndërsa “çmimi kufi” që aktivizon mekanizmin nuk mund të tejkalojë 80% të çmimit mesatar të ponderuar të produktit përkatës në zonën e organizatës, për tre vitet e fundit para vitit për të cilin caktohet çmimi.

Në aspektin institucional, zbatimi i vendimit i ngarkohet ministrisë përgjegjëse për peshkimin, institucionit përgjegjës për shërbimet e peshkimit dhe akuakulturës dhe inspektoratit përkatës. /ekofin.al