Nga Klevis Elezi
Diku në heshtjen e stepave, aty ku akulli mban të ngrirë kujtimet e perandorëve dhe hijet e carëve që s’janë shuar kurrë, një mit po shembet ngadalë. Rusia, përbindëshi gjeopolitike që dikur dridhej bota vetëm kur lëshonte një fjalë, po përjeton një rënie që nuk po ndodh në fushëbetejë, por në shpirt, në mit dhe në vetëdijen kolektive të saj. Po shembet ajo aureolë e “fuqisë së madhe” që jetonte më shumë si ide sesa si realitet. Dhe ndërsa ajo bie, një tjetër zë, më i vjetër, më i ftohtë dhe më i përllogaritur, po merr përsëri timonin e historisë: zëri i Amerikës.
Nëse dikur Moska e shihte veten si pasardhësen e Romës dhe mbrojtësen e ortodoksisë së botës, sot ajo po përpëlitet midis një ekonomie të rrënuar nga luftërat dhe një populli që s’beson më në perandorinë e re. Çdo tank që del nga fabrika është një shenjë dobësie, jo force. Sepse fuqitë e mëdha, kur janë në ngritje, ndërtojnë ideologji; kur bien, prodhojnë armë. Dhe Rusia po prodhon vetëm armë shumë, shumë më tepër se shpresa.
Në horizont, ndërkohë, Amerika hesht. Por është ajo heshtje e njohur…ajo para stuhisë. Në Pentagon, zhurma e tastierave tingëllon si bubullimë e largët. Inteligjenca amerikane s’ka nevojë të shpallë fitoren; ajo e lë kundërshtarin të tretet nga brenda. Rënia e Rusisë nuk është një akt luftarak është një proces i programuar, i ngadalshëm, thuajse laboratorik. Një shthurje e planifikuar, një dekonstruksion i një miti të ndërtuar mbi frikë.
Në laboratorin e fshehtë të botës moderne, fuqitë nuk maten më me territore, por me kontrollin e narrativës. Dhe pikërisht aty, ShBA-ja ka fituar gjithmonë: në fjalë, në kulturë, në perceptim. Rusia mund të ketë raketa, por Amerika ka mitin e saj ka mitin e lirisë, të teknologjisë, të ëndrrës së arritshme. Dhe sot, ndërsa propaganda ruse përpiqet të mbajë në këmbë një realitet të rrënuar, “sistemi amerikan” po ndriçon sërish si një zjarr i vjetër që s’është shuar kurrë.
Por a është kjo rënie e Rusisë një rastësi? Apo një kapitull i ri i planit të padukshëm që Uashingtoni e ka ndërtuar me durim që prej Luftës së Ftohtë? Një strategji që s’ka nevojë për bomba, por për algoritme. Në vend të tankeve, përdoren sanksionet, rrjetet financiare dhe kontrolli mbi teknologjinë. Dhe ashtu si një virus që futet në sistem pa zhurmë, Amerika ka futur botën në orbitën e saj. Në një orbitë ku edhe armiqtë përfundojnë duke luajtur sipas rregullave të saj.
Rusia po bie sepse po humbet narrativën e vet. Miti i “mbrojtëses së botës sllave”, i “kundërpeshës ndaj Perëndimit”, po venitet në erën e informacionit global. E gjithë propaganda e Kremlinit s’mund të fshehë faktin se populli i saj po varfërohet, elita po pasurohet dhe frika e brendshme po shndërrohet në një revolucion të heshtur. Sot, askush s’e beson më mitin e “fuqisë morale ruse”, madje as vetë rusët.
Ndërkohë, ShBA-ja nuk ka nevojë të flasë me fjalë. Ajo flet me dollarin, me rrjetet, me sistemet satelitore që shohin çdo lëvizje, me qendrat e të dhënave që dinë çdo mendim përpara se të artikulohet. Fjalimi i saj nuk është më politik është algoritmik. Është i shkruar në kodin e botës që jeton online. Dhe në atë univers, Rusia është një sistem i vjetruar, një gjigant që nuk di si të flasë më në gjuhën e kohës.
Dhe megjithatë, mbetet një mister: A është kjo “rënia e Rusisë” vërtet fitorja e Amerikës? Apo një iluzion që na mbjellin për të mos parë atë që po ndodh realisht? Apo krijimin e një bote ku çdo përplasje është e kontrolluar, çdo luftë e lejuar, dhe çdo perandori që bie, bie sipas një skenari të shkruar diku më lart?
Sepse ndoshta, Rusia nuk po bie vetë ndoshta po e lejojnë të bjerë. Ndoshta miti s’ka rënë, por po transformohet për të lindur një rend të ri, ku Amerika nuk është më vetëm superfuqi, por një “zot i heshtur” që udhëheq prej prapaskenës. Dhe atëherë, pyetja nuk është më kush po flet. Pyetja e vërtetë është: kush po shkruan historinë që po dëgjojmë?
Rusia po bie, po. Por në heshtjen e rënies së saj, dëgjohet një tjetër tingull; ai i një bote që po rindërtohet sipas modelit të një fuqie që nuk bie kurrë. Një fuqie që nuk lufton për të pushtuar tokë, por për të pushtuar mendjen. Dhe ndërsa në Lindje bien mite, në Perëndim flasin serverët. Tani flet ShBA-ja por jo me gojë, me algoritëm.
Sepse në fund, historia nuk është më ajo që ndodh. Është ajo që programohet të ndodhë.
Dimri i historis së madhe…



