Ballina Opinion Rrënjët emocionale të populizmit djathtas-majtas dhe pse njerëzit i drejtohen!

Rrënjët emocionale të populizmit djathtas-majtas dhe pse njerëzit i drejtohen!

29
0

Nga Neli Demi 

Populizmi zakonisht shpjegohet si produkt apo problem i ideve: mungesë informacioni, manipulim, prirje autoritare. Ky shpjegim është i rehatshëm, sepse e zhvendos problemin te “të tjerët”. Por ky shpjegim dështon vazhdimisht për të dhënë zgjidhje dhe për të shmagur pasojat destruktive kur populizmat vijnë në pushtet. Populizmi nuk zbehet, përkundrazi rritet, edhe kur faktet janë kundër tij. Ndoshta sepse po e kërkojmë shkakun në vendin dhe mënyrën e gabuar. Populizmi nuk lind fillimisht nga ideologjia. Ai lind nga emocione të papërfaqësuara kur këto emocione arrijnë një masë dhe përhapje kritike në një vend të caktuar.

Shumë njerëz sot ndiejnë se bota është bërë e pasigurt. Të punosh nuk garanton më stabilitet dhe siguri për të ardhmen. Rregullat ndryshojnë shpesh. Ajo që dukej e qartë dje, sot është e paqartë. Kjo situatë krijon një ndjesi të thjeshtë, por të fuqishme:
“Nuk jam më i sigurt në vendin tim.”
Dhe kur kjo ndjesi zgjat dhe zgjerohet mjaftueshëm në një shoqëri, krijohen kushtet favorizuese për lindjen e qasjeve populiste. Njerëzit nuk kërkojnë analiza të ndërlikuara. Kërkojnë përgjigje të qarta dhe figura që japin siguri.

Populizmi i djathtë: frika që kërkon rregull

Në populizmin e djathtë, emocioni qendror është frika. Jo gjithmonë një frikë konkrete, por ndjesia se gjërat po dalin nga kontrolli. Prandaj diskursi i tij mbështetet te: rendi, kufijtë, autoriteti, ndëshkimi. Këto nuk janë vetëm slogane politike. Janë mekanizma qetësimi emocional. Janë mënyra për t’i thënë vetes se bota ende ka formë dhe kufij. Lideri populist i djathtë nuk ndiqet sepse është më i ditur, por sepse duket i fortë. Sepse flet pa dyshime. Sepse premton kontroll, edhe kur ky kontroll është më shumë simbolik sesa real.

Populizmi i majtë: zemërimi që kërkon drejtësi

Në populizmin e majtë, emocioni qendror është zemërimi. Zemërimi i atyre që ndiejnë se janë lënë pas, se janë shfrytëzuar, se kanë dhënë më shumë sesa kanë marrë. Këtu fjalët kyçe janë: padrejtësi, pabarazi, korrupsion, abuzim. Njerëzit nuk ndihen të kërcënuar në identitet, por të fyer në dinjitet. Lideri populist i majtë perceptohet si ai që “më në fund po e thotë atë që ne e kemi ndier prej kohësh”.

Armiku si lehtësim emocional

Si populizmi i djathtë ashtu edhe ai i majtë kanë nevojë për një armik.
Jo domosdoshmërisht nga urrejtja, por sepse dhimbja kërkon një emër. Kur ankthi ose zemërimi nuk kanë drejtim, ato bëhen të padurueshme. Armiku i përqendron, i bën të kuptueshme dhe i jep individit ndjesinë se nuk është më i pafuqishëm.

Pse faktet nuk mjaftojnë

Sepse frika dhe zemërimi nuk lindin nga mungesa e informacionit, por nga përvoja e jetës. Statistikat nuk e qetësojnë njeriun e frikësuar. Shpjegimet teknike nuk e ngushëllojnë njeriun e zemëruar. Shpesh, mënyra se si u flitet qytetarëve i bën ata të ndihen të përçmuar, jo të ndihmuar.

Një përfundim pa iluzione

Populizmi nuk është aksident politik.
Është sinjal se shumë njerëz nuk po gjejnë më një mënyrë të durueshme për të egzistuar në një botë të pasigurt. Disa kërkojnë mbyllje për të mos u shpërbërë. Disa kërkojnë përmbysje për të mos u mpirë.

Nëse duam ta kuptojmë realisht këtë fenomen, duhet të ndalojmë së pyeturi vetëm “pse mendojmë kështu?”
dhe të fillojmë të pyesim: “Cilën gjendje po përpiqemi të mbijetojmë emocionalisht?”

Pa këtë pyetje, do të vazhdojmë të flasim shumë por të kuptojmë pak.