Ballina Opinion Edi Rama i rri qeverisë si zhele e zgjyrosur gabi pas 13...

Edi Rama i rri qeverisë si zhele e zgjyrosur gabi pas 13 vitesh pushtet të degraduar

72
0

Nga Ilir Dako

Pas 13 vitesh pushtet ka filluar të ndihet degradimi i Edi Ramës në raport me qeverisjen dhe realitetin. Këto ditë protestash, kryeministri shqiptar ka filluar të flasë me engjëjt dhe po manifeston qartazi degradimin e tij mental si një personazh që jeton në një tjetër univers. Vitet e gjata në pushtet kanë krijuar te kreu i qeverisë iluzionin e një mbinjeriu që mund të bëjë çfarë të dëshirojë me fatet e shqiptarëve, pasuritë dhe resorset kombëtare, duke i trajtuar si pronën e babës dhe jo si një pasuri që i është dhënë në administrim.

Protestat e këtyre ditëve shpalosën shpirtin e revoltës, ku një brez i ri është ngritur në këmbë kundër despotizimit të një njeriu që është shndërruar në zog fluturues, i cili më shumë qëndron në ajër me charterat që paguan me paratë e taksave tona, sesa në krye të detyrës për të cilën është zgjedhur.

Pas trembëdhjetë vitesh pushtet, figura e Edi Ramës duket se ka hyrë në një fazë të konsumi  të plotë, ku arroganca dhe iluzioni i mbinjeriut kanë zëvendësuar arsyen dhe lidhjen me realitetin. Protestat e ditëve të fundit nuk janë thjesht shfaqje spontane të pakënaqësisë, por manifestime të një revolte të akumuluar, ku një brez i ri ka dalë në skenë për të sfiduar despotizmin e një lideri që ka humbur kontaktin me tokën.

Edi Rama i rri qeverisjes si kostumi i gabit i zhelenosur dhe zgjyrosur nga vitet e gjata pa u ndërruar kurrë. Prej 13 vitesh shqiptarët kanë parë këtë kostum të firmës Gabi ti dilte ngjyra dhe zgjyra, duke konsumuar dhe ripërsëritur veten çdo ditë, në një stil qeverisje tipike  bandash dhe me një grup ministrash në rolin e  shitësave ambulantë që grabisin çdo ditë pronat e shqiptarëve dhe e kthyen arrogancën si një vlerë morale të bandës së Gabit.

Mënyra sesi Edi Rama reagoi gjatë këtyre ditëve tregon se këtë njeri e ka braktisur arsyeja dhe në vend të saj ka shpërthyer arroganca, në një nivel mjeran, ku artikulimi i njeriut që pretendon se ka në dispozicion një bagazh publicistik është ulur në nivele banale komunikimi.

“Dorëheqje nga misioni i PS për të anëtarësuar Shqipërinë në BE?! Kush do shkojë atje për të negociuar atje në BE? Kush do i dalë për zot Shqipërisë, ata që mendojnë se të vishesh seksi si flamingo. Këto janë marrëzira që vendet i paguajnë shumë shtrenjtë. Por nuk do shkoj te Gjermania, se do thonë këta janë çuna të bukur pse i ngatërron me nazistët. Nazizmi triumfoi se jo pse ishin njerëz të këqinj aty por se shumë njerëz të mirë shkuan pas të këqinjve. Ata të mirët që janë shumica, vajtën pas berihait”, deklaron Edi Rama në një nga reagimet e tij plot mllef, duke shfaqur haptazi mediokritetin dhe shkëputjen e tij nga realiteti. Kryeministri shqiptar pretendon se pa prezencën e tij në qeveri nuk do ketë integrim në BE,  ndërkohë që korrupsioni dhe hajdutëria  e qeverisjes së tij kanë bllokuar për 13 vite rresht integrimin europian të vendit.

Në reagimet e tij, Rama ka treguar një degradim të artikulimit politik, duke kaluar nga retorika e liderit tek fjalime të mbushura me mllef dhe krahasime të pakuptimta, ku nazizmi përdoret si metaforë e shfrenuar për të justifikuar qëndrimin e tij. Kjo gjuhë nuk është më shenjë e forcës, por e një mediokriteti të thellë, ku arroganca ka zëvendësuar arsyen. Pretendimi se pa prezencën e tij nuk ka integrim në BE është një tjetër iluzion i mbinjeriut, ndërkohë që realiteti i thjeshtë është se korrupsioni dhe hajdutëria e qeverisjes së tij kanë bllokuar për më shumë se një dekadë rrugën europiane të vendit.

Protestat e ditëve të fundit e kanë bërë të dukshme se pushteti nuk është më i frikshëm, por  qesharak. Brezi i ri nuk e sheh më Ramën si një lider, por si një kostum të vjetër që ka humbur ngjyrën dhe zgjyrën, një relike e konsumuar që nuk mbulon më asgjë. Ky është momenti kur historia fillon të shkruhet ndryshe, jo nga iluzioni i mbinjeriut, por nga revoltimi i shoqërisë që nuk pranon më të jetojë nën hijen e një pushteti të tejzgjatur.protesta e  këtyre ditëve tregoi qartë se pushteti i gjatë nuk është më garanci stabiliteti, por burim degradimi, dhe kur pushteti humb lidhjen me realitetin, shoqëria e gjen forcën për ta rrëzuar.