Sipas informacioneve të reja nga mjeku i kombëtares daneze, gjendja e Christian Eriksen është stabile pas kolapsit gjatë ndeshjes miqësore mes Danimarkës dhe Ukrainës.
Mjeku i kombëtares daneze, Morten Boesen, ka bërë të ditur se 34-vjeçari është mirë, i vetëdijshëm dhe po ecën normalisht, ndërsa pritet të largohet nga spitali pasi të përfundojë kontrollet mjekësore.
“Christian është mirë. Ka shkuar në spital, ecën normalisht dhe duhet të dalë vetë pasi të kryejë ekzaminimet. Këto janë lajme shumë të mira”, tha Boesen.
Sipas tij, Eriksen fillimisht është kapur për gjoks dhe ka tentuar të komunikojë me stafin mjekësor para se të rrëzohej.
Dyshimet e para janë se mund të jetë aktivizuar pajisja e zemrës, e vendosur pas incidentit të rëndë në vitin 2021, kur zemra e tij ndaloi gjatë ndeshjes së Kampionatit Evropian ndaj Finlandës.
Mjekët tani do të kryejnë analiza të detajuara dhe do të konsultohen me kardiologun e tij për të kuptuar saktësisht çfarë ndodhi.







