Ballina Kronika Tregtonte ilaçe kontrabandë dhe të skaduara, arrestohet 42-vjeçari në Fier, sekuestrohen mijëra...

Tregtonte ilaçe kontrabandë dhe të skaduara, arrestohet 42-vjeçari në Fier, sekuestrohen mijëra kuti pa faturë tatimore

31
0

Një 42-vjeçar është vënë në pranga pasi magazinonte ilaçe të ndryshme pa faturë tatimore dhe të skaduara dhe më pas i hidhte në treg. Sipas policisë,  gjatë operacionit “Skadenca”, janë sekuestruar 1635 kuti me ilaçe të ndryshme të skaduara, si dhe 2654 kuti pa faturë tatimore, që dyshohet se janë futur kontrabandë.

Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës në pronësi të 42-vjeçarit Bojken Bregovina.

Dhe si rezultat i kontrollit janë gjetur gjithsej 4289 kuti me medikamente të ndryshme. Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas, prej një periudhe të gjatë kohore, magazinonte medikamente të skaduara dhe më pas i hidhte në treg, duke furnizuar farmacitë e qytetit të Fierit, me qëllim përfitimi.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në ngarkim të shtetasit B. B., për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.