Parlamenti ka miratuar rivlerësimin e banesave kundrejt tatimit 5 për qind të tatim fitimit, por ende nuk ka nisur zbatimi. Ligji hyn në fuqi zyrtarisht më 22 janar.
Ndërkohë, agjentët e tregut imobiliar janë në pritje edhe të akteve nënligjore të Ministrisë së Financave, që do të detajojnë se si do të bëhet rivlerësimi.
“Është e pakuptimtë që pas 2 vitesh diskutime për procesin e rivlerësimit, duke qenë se kjo do të jetë një fushatë e katërt, të mos kesh akoma udhëzimin për aplikimin e procesit të rivlerësimit. Aq më tepër, në një realitet kur ne si vend supozohet që deri në 2027 duhet të jemi gati për të mbyllur të gjithë kapitujt dhe për të përafruar të gjithë kapitujt me BE dhe nuk jemi gati për të hartuar një udhëzim për një temë që është bërë edhe në vitet e shkuara. Mendoj se një nga arsyet është gabimi që ka bërë Ministria e Financave që procesin e rivlerësimit e ka lidhur ngushtë me çmimet e reja të referencës dhe ndoshta ka një ngërç me hyrjen e tyre në fuqi, që transferohet edhe te fushata e rivlerësimit”, tha Reinaldo Pipiria, shoqata “NAREA”
Kjo pritje prej të paktën 3 javësh, sipas agjentëve, po mban peng tregun e pronave.
“Si ligj hyn në fuqi në datën 22 janar. Nëse Ministria e Financave për 10 ditë do të ketë të mundur të draftojë, të publikojë udhëzimin e përbashkët me ASHK, shpresojmë që data 23 do të jetë mundësia e artë për qytetarët për të aplikuar për rivlerësimin. Ka interes, ka qytetarë që po drejtohen te NAREA për të marrë përgjigje si do të funksionojë. Vonesa shton presionin, vonesa e bërjes efektive të ligjit shton presionin në treg dhe bën edhe më të pamundur për të përpunuar të gjitha aplikimet. Periudha 1-vjeçare nuk është mjaftueshëm dhe urojmë që çfarë po humbim, të ketë vullnet politik që ta rikthejmë”, tha Pipiria.
Deri në daljen e udhëzimit të Ministrisë së Financave, agjentët dhe rivlerësuesit janë të paqartë për formulën si do të njihet amortizimi i godinave, për të përfituar një normë tatimore edhe më të ulët se 5%.







