Ballina Rajoni Ekspertët: Serbia po përdor armatosjen e FSK-së për operacione psiko-strategjike

Ekspertët: Serbia po përdor armatosjen e FSK-së për operacione psiko-strategjike

31
0

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit për Siguri Kombëtare në Serbi, mbajtur më 4 janar 2026, presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiç ka pretenduar se Forca e Sigurisë së Kosovës, po armatoset në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se aleanca Kroaci- Shqipëri- Kosovë, sipas tij, cenon drejtpërdrejt interesat dhe sigurinë e Serbisë.

Vuçiq e ka cilësuar këtë situatë si një kërcënim për vendin e tij, duke theksuar se Serbia tashmë po përgatitet për t’u mbrojtur.

Këto deklarata, vetëm sa e kanë pasuruar atë që njohësit e sigurisë dhe lajmeve të rreme e shohin si propagandë serbe.

Hulumtuesi nga instituti “Octopus”, Gurakuç Kuçi tha se ankesat e presidentit serb janë pjesë e një strategjie psiko-propagandistike.

Edhe pse Vuçiq, sipas Kuçit e di se Kosova është në forcimin e ushtrisë së saj në kuadër të NATO-s, ai e prezanton atë si kërcënim ndaj Serbisë.

Kuçi: Vuçiçi është prej atyre që bashkë me propagandën serbe nuk lë çdo lloj mjeti që s’ta përdor kundrejt Kosovës

“Aleksandër Vuçiqi është prej atyre njerëzve që bashkë me propagandën serbe nuk lë çdo lloj mjeti që s’ta përdor kundrejt Kosovës. Ai e di mjaft mirë që Kosova është në forcimin e ushtrisë së saj në kuadër të NATO-s dhe vetë ka pasur deklarata nga NATO-ja dhe SHBA-ja që armatosja e Kosovës është ka bëhet konform rregullave dhe deri në 2028-ën që është edhe e planifikuar transformimi në ushtri operacionale. Por megjithatë ata e përdorin këtë çështje duke u përfshirë edhe elementet e tjera që po ndodhin kohëve të fundit si një lloj strategjie, si një lloj operacioni psiko-strategjik që e bën Vuçiçi”, ka thënë Kuçi.

Kuçi ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për t’u përballur me këtë lloj komunikimi strategjik nga Serbia.

Si nevojë imediate për të ndërhyrë, Kuçi ka parë çështjen e rrjeteve sociale dhe mediave, ku po manipulohet me publikun.

Kuçi: Organet e sigurisë në Kosovë bashkë me të gjitha institucionet e tjera duhet të kenë një strategji

“Organet e sigurisë në Kosovë bashkë me të gjitha institucionet e tjera duhet të kenë një strategji e cila e ka parasysh se si funksionon STRATCOM-i ose strategjia e komunikimit të Serbisë dhe në këtë mënyrë duke pasur parasysh strategjinë e tyre, atëherë të krijohet një lloj kundër-strategjie e cila në bashkëpunim me shoqërinë civile, mediat dhe po ashtu akterë të cilët janë me interes në Kosovë, ta mbajnë masën e paprekshme nga kjo lloj propagande dhe nga kjo lloj lufte hibride që është duke ndodhur. Ndoshta nevoja imediate që duhet të ndërhyhet është çështja e rrjeteve sociale dhe çështja e mediave ku shumë media të paidentifikuara apo pa pronarë dhe po ashtu rrjete sociale të ndryshme, janë duke manipuluar publikun dhe ne i kemi vërejtur këto që ka jashtëzakonisht shumë shpërndarje, like dhe komente të cilat janë duke përçarë masën dhe duke e shtyrë përpara interesat e Serbisë kundrejt Kosovës”, ka shtuar ai.

Edhe hulumtuesi në Hibrid Info, Festim Rizanaj, ka vlerësuar se deklaratat e Vuçiqit kanë ndikuar në përhapjen e narrativave të rrezikshme.

Këto deklarata, sipas tij, krijojnë panik te komuniteti serb në Kosovë, të cilët Rizanaj i këshiloonn që këto narrativa t’i verifikojnë dhe të përdorin më shumë burime të besueshme të informacionit.

Rizanaj: Këto janë të rrezikshme sepse krijojnë panik, kryesisht te komuniteti serb në Kosovë

“Në momentin që Vuçiç është deklaruar se Kosova po armatoset për ta sulmuar Serbinë, këto narrative janë amplifikuar edhe nga personalitete të tjera, njëkohësisht edhe media të tjera, me qëllim që në një farë forme kjo ndikon në konsumin e brendshëm, krijon një lloj viktimizimi se Kosova po armatoset me qëllim. Njëkohësisht ka qarkulluar edhe narrative se kjo e dëmton edhe sigurinë e serbëve në Kosovë… 1:25 Këto janë të rrezikshme sepse krijojnë panik, kryesisht te komuniteti serb në Kosovë sepse ata në bazë të informacioneve që kemi kryesisht informohen nga mediat në Serbi dhe nuk i përdorin mediat kredibile që janë në Kosovë. kjo mund të krijojë te ta një lloj panike, njëkohësisht edhe mund t’i dezinformojë serbët në Serbi lidhur me zhvillimet në Kosovë…2:02 Duhet t’i verifikojnë këto narrativa, njëkohësisht duhet të përdorin edhe më shumë burime të informacionit të lidhur me tema të tilla të sigurisë”, ka thënë Rizanaj.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtje i ka cilësuar deklaratat e presidentit serb si të pavërteta dhe tendencioze. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Liridona Gashi, në një përgjigje për KosovaPress ka theksuar se zhvillimi i FSK-së nuk ka plane kërcënuese.

“Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillon kapacitetet e saj për qëllime mbrojtëse, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet e NATO-s, si dhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë. FSK-ja nuk është dhe nuk do të jetë e orientuar ndaj kërcënimit apo sulmit ndaj asnjë shteti. Përkushtimi ynë ndaj vlerave perëndimore dhe paqes dëshmohet edhe nga fakti se të gjitha prokurimet ushtarake realizohen në mënyrë transparente me shtetet anëtare të NATO-s për dallim nga Serbia”, është shprehur ajo.

Në Këshillin për Siguri Kombëtare në Serbi, presidenti Vuçiq ka thënë se procesi i transformimit të FSK-së po zhvillohet me mbështetje nga fuqi të mëdha perëndimore dhe Turqia, sipas tij në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së.

“Neve na shqetëson veçanërisht armatosja e mëtejme e Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e OKB-së, Rezoluta 1244 është pezulluar de facto, edhe pse jo de jure; de facto ajo është pezulluar nga fuqitë e mëdha perëndimore dhe nga disa aktorë rajonalë si Turqia. Ata po e armatosin Prishtinën me shpejtësi, ndërsa një kërcënim të veçantë për sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë përbën aleanca apo koalicioni i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cila përfshin edhe prodhimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake, nga automjete me katër rrota aktive deri te idetë për mjete dhe armë më të fuqishme në të ardhmen”, ka thënë Vuçiq.

Institucionet e Kosovës theksojnë se Rezoluta 1244 nuk ndalon krijimin apo zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa zhvillimi i saj po bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n.

Në anën tjetër, Serbia vazhdon ta konsiderojë Rezolutën e Këshillit të Sigurimit si dokument juridik ende në fuqi, duke e përdorur atë si bazë për të kundërshtuar shtetësinë e Kosovës dhe për të argumentuar se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri bie ndesh me këtë rezolutë.