Forcat e armatosura gjermane janë larguar fshehurazi nga Groenlanda, pa asnjë njoftim apo shpjegim tjetër por largimi me nxitim përkon pak orë pas kërcënimeve të presidentit Trump me vendosjen e tarifave doganoreprej dhjetë përqind për vendet evropiane që kundërshtojnë kërkesën e tij për aneksimin e Groenlandësnga SHBA-ja
“Asnjë shpjegim nuk u dha as nga Berlini”, raporton Bild. As Zëdhënësi i misionit në vendngjarje nuk iu përgjigj pyetjeve apo telefonatave.
Vetëm 44 orë në Groenlandë
Media gjermane Bild shkruan për largimin e papritur të ushtarëve gjermanë që mbërritën në Grenlandë 44 orë më parë.
Të dielën në mesditë, (18 janar) ekipi zbulues i Forcave të Armatosura Gjermane u largua nga Groenlanda. BILD pa 15 ushtarët, të udhëhequr nga Kundëradmirali Stefan Pauly (61), pak para ngritjes nga Aeroporti i Nuuk-ut. Destinacioni: një Boeing 737 i Icelandair.
Ndërkohë dje (E shtunë) ishte bërë e ditur se ushtarët do të qëndronin më gjatë se sa ishte planifikuar. Megjithatë, tani Forcat e Armatosura Gjermane janë larguar – pa asnjë komunikim shtesë apo njoftim zyrtar.
Urdhri
Sipas BILD, urdhri për largim u dha këtë mëngjes nga Berlini “vetëm shumë herët këtë mëngjes” dhe “asnjë shpjegim nuk iu dha trupave në terren”. Të gjitha takimet e planifikuara u anuluan urgjentisht. Largimi u bë në mesditë. Kjo do të thotë se ushtarët qëndruan në Groenlandë më pak se dy ditë.
Ndërsa të premten e 16 janarit, zëdhënësi i ministrisë, Michael Stempfle, deklaronte në Konferencën Federale për Shtyp se nuk donte të jepte detaje për datën e largimit.
“Nëse tani them se do të jetë deri më 17 janar dhe më pas në terren vendosin të qëndrojnë më gjatë, atëherë ju do të thoni sërish: Stempfle nuk ishte mjaftueshëm specifik. Prandaj preferoj ta lë pak të hapur për momentin. Në rast dyshimi, duhet t’i pyesni danezët” do të deklaronte zëdhënësi.
A është kjo përgjigjja e Berlinit ndaj tarifave të Trump?
Admirali Pauly deklaroi dje se po zhvillonin diskutime me danezët dhe të tjerë për mundësi bashkëpunimi të mëtejshëm në terren dhe se këto diskutime i ishin raportuar Berlinit. Ata po prisnin një përgjigje për miratim, në mënyrë që të diskutonin hapat e radhës me danezët. Por kjo, me sa duket, nuk ndodhi: gjenerali e bëri deklaratën dje në orën 15:30 sipas kohës lokale (18:30 me orën gjermane). Ndërsa sot, në orën 08:30 të mëngjesit (kohë lokale), ushtarët ndodheshin tashmë në aeroport me të gjithë pajisjet e tyre.
Misioni
15 ushtarët nga ushtria tokësore, forcat ajrore dhe marina mbërritën në Groenlandë të premten si pjesë e një misioni zbulues të vendeve të NATO-s, me ftesë të Danimarkës. Qëllimi i misionit ishte zhvillimi i stërvitjeve dhe eksplorimi i mundësive të mundshme për trajnime dhe dislokime të ardhshme. Dislokimi u iniciua pas dështimit të një takimi mes ministrave të jashtëm të Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara në Uashington, të mërkurën e kaluar. (14.01.2026)
Trumpi kritikoi ashpër dërgimin e trupave nga disa vende të NATO-s në Groenlandë dhe deklaroi se planifikonte të vendosë tarifa doganore prej dhjetë përqind për vendet evropiane që kundërshtojnë kërkesën e tij për aneksimin e Groenlandësnga SHBA-ja.
Sipas Trumpit vendet që do të preken ishin: Danimarka, Gjermania, Norvegjia, Suedia, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda.
“Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda kanë dërguar në Groenlandë trupa për qëllime të panjohura, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. Kjo është një “situatë shumë e rrezikshme” për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e planetit.
Groenlanda është ishulli më i madh në botë, ndodhet në Oqeanin Arktik. Ka rreth 56.000 banorë, shumica jetojnë në kryqytetin Nuuk. Pjesa më e madhe e territorit është e mbuluar me akull







