Ballina Lifestyle Pse dashuria nuk është pretendim pronësie, por respekti i distancës që i...

Pse dashuria nuk është pretendim pronësie, por respekti i distancës që i mban dy qenie të veçanta?!

15
0

Mendimi i Umberto Galimbertit për dashurinë hap një çarje të thellë në mënyrën se si kultura bashkëkohore e ka ngurtësuar këtë përvojë themelore njerëzore, duke e kthyer nga një marrëdhënie ekzistenciale në një raport pronësie.

Kur ai na fton të heqim përemrat pronorë, gruaja ime, burri im, e dashura ime, nuk po bën një provokim gjuhësor, por një ndërhyrje filozofike radikale, po na kërkon të rimendojmë vetë idenë e lidhjes me tjetrin.

Në thelb të këtij reflektimi qëndron pranimi i alteritetit, i faktit se tjetri është gjithmonë një tjetër, i pakapshëm, i pareduktueshëm në nevojat, frikërat apo pritshmëritë tona. Marrëdhënia e vërtetë, sipas Galimbertit, nuk fillon nga bashkimi i dy pronave, por nga respekti i distancës që i mban dy qenie të veçanta. Edhe martesa, kjo formë institucionale e dashurisë, mund të mbijetojë vetëm nëse nuk e shuan këtë dallim ontologjik, por e pranon si kusht të saj themelor. Aty ku tjetri pushon së qeni “tjetër” dhe shndërrohet në “tim”, dashuria ka filluar të vdesë.

Galimberti e ngre dashurinë në nivelin e kushtit themelor të jetës. Këtu ai takohet me Frojdin, i cili e shihte aftësinë për të dashur dhe për të qenë i dashur si kriter të funksionimit të shëndetshëm të jetës psiko-emocionale. Të jetosh nuk do të thotë thjesht të marrësh frymë; do të thotë të jesh i pranuar, i dëshiruar, i njohur nga një tjetër. Dashuria është ajo forcë që e zgjeron jetën përtej kufijve të mbijetesës biologjike, duke i dhënë asaj kuptim, thellësi dhe horizont.

Në këtë dritë bëhet veçanërisht tronditës mendimi se shumë njerëz të moshuar largohen, mënjanohen, jo sepse trupi i tyre dorëzohet dhe shpirti i tyre nuk ka ende energji për ta mbushur ditën me shkëndija dhe çastin me përjetime, por sepse lidhja me dashurinë është këputur. Ata nuk bien më në sy edhe pse janë aty, zemër dhe ndjenja, me dëshirën për të mos lënë t’u iki asnjë ditë pa prani, pa ngrohtësi, pa fjalë dhe vështrime që i bëjnë të besojnë dhe të jetojnë ende si qenie të gjalla, si identitete force përjetimi.

Vetmia, mungesa e një vështrimi që të njoh, e një zëri që të thërret, e një zemre që të pret, mund të jetë po aq vdekjeprurëse sa sëmundja. Dashuria, pra, nuk është luks emocional, por energjia që mban gjallë jetën.

Dashuria, në thelbin e saj, është pikërisht e kundërta e posedimit. Të duash do të thotë të lejosh tjetrin të jetë ai që është, edhe kur kjo të rrezikon, edhe kur nuk të garanton asgjë. Prandaj Galimberti e quan posedimin mohim të dashurisë, në momentin që kërkoj ta zotëroj tjetrin, e kam reduktuar në mjet për nevojat e mia, e kam zhveshur nga liria që e bën të dashur.

Këtu mendimi i tij lidhet natyrshëm me dallimin e Erich Fromm-it mes dashurisë së papjekur dhe asaj të pjekur. Dashuria e papjekur buron nga mungesa, të dua sepse kam nevojë për ty. Ajo është kërkesë, varësi, frikë nga boshllëku. Ndërsa dashuria e pjekur lind nga bollëku i qenies, kam nevojë për ty sepse të dua. Kjo nevojë nuk është varësi, por zgjedhje; jo boshllëk, por dëshirë për ta ndarë jetën dhe çastet me një tjetër, pa ia mohuar atij lirinë.

Në përfundim, Galimberti na kujton se dashuria nuk është një ndjenjë sentimentale apo një formulë sociale, por kategoria themelore e jetës njerëzore. Ajo kërkon guximin për të mos zotëruar, për të mos siguruar, për të mos reduktuar. Kërkon pranimin e tjetrit si mister, si prani që nuk na përket, por që, pikërisht sepse nuk na përket, na mban gjallë. Në një botë që kërkon të blejë, të kontrollojë dhe të garantojë gjithçka, dashuria mbetet akti më i lirë dhe më i rrezikshëm, dhe, njëkohësisht, forma më e lartë e jetesës.