Nga Ylli Manjani
I. Në planin ligjor.
1. Nuk lexohet një nen/paragraf i vetëm që të na plotësojë dëshirën, por duhen lexuar në harmoni disa ligje së bashku. Duhet lexuar Kushtetuta; ligji për statusin e magjistratëve; ligji për dekriminalizimin; Kodi Penal; ligji për pushtetin gjyqësor. Të paktën këto ligje duhen lexuar në harmoni që të kemi një kuptueshmëri dhe arsyetim të drejtë mbi rastin.
2. Siç njofton Prokuroria e Përgjithshme, rezulton i vërtetë fakti se zonja Gjoka ka një vendim dënimi në Greqi. Është dënuar me 2 muaj burg dhe 1500 euro gjobë.
3. Po sipas Prokurorisë së Përgjithshme, në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në fund të vitit 2016, zonja Gjoka nuk e ka deklaruar këtë dënim. Por për shkak se konstatimi është bërë pas afatit të parashkrimit, nuk referohet dot më për ndjekje penale.
4. Pra duke mos patur mundësi për ndjekje penale, Prokiroria e ka referuar rastin në KLGj për të parë mundësinë e masave disiplinore ndaj gjyqtares, për çështje të etikës.
5. Ligjërisht, gjykatësit shkarkohen automatikisht kur dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
6. Gjyqtarja Irena Gjoka nuk është dënuar nga asnjë Gjykatë e Republikës së Shqipërisë. Të paktën nuk ka asnjë fakt për këtë gjë.
7. Që dënimi i gjykatës Greke të bëhet i zbatueshëm në Shqipëri, duhet të bëhej në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Problemi është që ai ligj nuk zbatohet në këtë rast sepse:
a. Vepra penale e fallsifikimit nuk gjendet në listën e neneve të kodit penal që parashikon ai ligj në nenin 2 të tij.
b. Dënimi i dhënë nga gjykata Greke është më pak se 6 muaj burg, kriter tjetër ky që ligji të veprojë.
8. Pra ligji i PD, për dekriminalizimin ka vendosur vetë të mos i konsiderojë dënimet e lehta. Ndaj nuk vepron në këtë rast.
9. Në këto kushte, mbi bazën e këtyre fakteve që janë të njohura, gjyqtarja nuk quhet e dënuar penalisht që të justifikohet masa e shkarkimit nga detyra.
10. KLGJ i kërkohet të eksplorojë mundësinë e dënimit disiplinor për shkaqe të tjera. Sigurisht ajo do të duhet të bëjë një hetim administrativ dhe të pyese edhe vetë gjyqtaren dhe të nxjerrë konkluzionet përkatëse.
Deri atëhere, nuk ke se ç’ti shtosh më kësaj çështje. Por shkarkimi i gjyqtares nuk është absolut tashmë. Ka edhe masa të tjera disiplinore…
II. Sa i takon moralit.
1. Në një shoqëri me shtet, morali më i lartë është ai që shkruhet në ligje. Pra në ligje dhe jo tek qytetari digjital,apo në studio televizive.
2. Morali tej gjuhës së ligjit dhe llogjikës së fakteve është subjektiv dhe individual. Pra i pamjaftueshëm për të justifikuar vendime dënimi për askënd.
3. Kolektivisht jemi shoqëri që halli na ka bërë të jemi në kërkim për letra të shteteve të BE. Nuk kemi pse bëjmë sikur dhe të gjykojmë tjetrin, kur vetë s’lemë gjë pa bërë për ti siguruar ato letra. Gjyqtarët tanë janë pjesë e këtë saj shoqërie…
4. Gjykatësit prodhojnë vendime gjyqsore të cilat pa asnjë dyshim i nënshtrohen kritikës publike.
5. Personalisht kam qenë e jam kritik me vendimet e gjyqtares Gjoka në rastin Beleri dhe në masat që mori kundër Berishës, dhëndrrit të Tij dhe të tjerëve. Të dyja ato vendime janë joproporcionale dhe që duhet të ishin shmangur.
6. Për rastin Beleri kam qenë ndoshta i vetmi në hapësirën publike që e kam kritikuar atë ndjekje penale. Megjithëse kisha të gjithë opinionin patridiot kundër. Patridiotët gjenin te Irena Gjoka heroinën e Shqipërisë, ndërsa mua më quanin “grek muti”.
Tani sot po u them unë:
Përse e gjykoni heroinën tuaj?!
Mbrojeni sepse ajo nuk ka kryer asnjë krim në Shqipëri, përkundrazi u plotësoi dëshirën për të dënuar atë “grekun”.
Mos më bëni mua tani tua kthej atë shprehjen që më vutë atëherë, se do bëhej një nevojtore e madhe ky vend….
Ndaj edhe morali përtej ligjit ka disa standarte. Ai nuk bëhet rast pas rasti e sipas qejfit të ditës.







