Ballina Opinion “Nyja e Shqipërisë”

“Nyja e Shqipërisë”

56
0

Nga Klevis Bakillari

Për 35 vjet me radhë, politika shqiptare është përpjekur të zgjidhë shumë nyje: krizën e institucioneve, krizën e drejtësisë, krizën e korrupsionit, krizën e besimit. Por nyja më e fortë ka mbetur aty, e pazgjidhur, duke ushqyer të gjitha të tjerat: largimi i qytetarëve nga pjesëmarrja.
Fuqia e ndërgjegjes që po zgjonë kjo protestë ,është më e madhe sesa pjesëmarrja. Jo vetëm si reagim ndaj një padrejtësie apo si kundërshtim ndaj një qeverisjeje, por si një akt i madh qytetar që po prek nervin më të thellë të krizës sonë politike tridhjetëepesëvjeçare.

Në sheshe po shfaqet një pamje që Shqipëria e kishte humbur prej kohësh: njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha shtresave sociale, qytetarë me bindje të ndryshme politike, profesionistë, studentë, pensionistë, sipërmarrës e punëtorë, që bashkohen jo nga urrejtja ndaj njëri-tjetrit, por nga dëshira për t’u dëgjuar dhe për të rikthyer peshën e zërit të tyre në jetën publike.
Kjo është forca më e madhe e protestës. Ajo nuk po prodhon frikë apo konflikt por vetëdije dhe qytetari.

Edhe më domethënës është fakti se kjo lëvizje po tejkalon kufijtë gjeografikë të Shqipërisë. Diaspora shqiptare, e shpërndarë në Europë, Amerikë e kudo në botë, po e ndjek, po reagon, po solidarizohet dhe po rikthehet emocionalisht në qendër të debatit kombëtar. Për herë të parë pas shumë vitesh, energjia qytetare brenda vendit dhe ndërgjegjja kombëtare jashtë tij po lëvizin në të njëjtin drejtim.
Kjo krijon një zhvillim me pasoja të jashtëzakonshme politike. Jo domosdoshmërisht sepse ndryshon menjëherë preferencat elektorale, por sepse ndryshon diçka shumë më të rëndësishme: pjesëmarrjen.
Nyjen e fundit e Shqipërisë.

Për më shumë se tre dekada, kriza jonë politike nuk ka qenë vetëm krizë partish, liderësh apo institucionesh. Ajo ka qenë krizë përfaqësimi. Miliona shqiptarë kanë humbur besimin se vota e tyre ka vlerë. Një pjesë janë larguar nga vendi, një pjesë janë tërhequr nga procesi politik, ndërsa shumë të tjerë kanë zgjedhur heshtjen si formë proteste.

Pasoja ka qenë e qartë: pushteti është fituar dhe rifituar në kushte pjesëmarrjeje gjithnjë e më të ulët. Sa më pak qytetarë të marrin pjesë, aq më i deformuar bëhet përfaqësimi. Sa më i deformuar përfaqësimi, aq më e madhe bëhet distanca mes qytetarit dhe shtetit.
Kjo është nyja që ka bllokuar demokracinë shqiptare.
Prandaj rëndësia historike e protestës nuk qëndron vetëm tek mesazhet që artikulon sot. Rëndësia e saj qëndron tek potenciali për të rikthyer qytetarët nesër në kutitë e votimit.

Nëse protesta arrin të shndërrojë energjinë e revoltës në energji pjesëmarrjeje, Shqipëria do të përballet me një sfidë krejtësisht të re në zgjedhjet lokale dhe në çdo proces zgjedhor që pason. Një pjesëmarrje masive do të thotë më shumë legjitimitet, më shumë konkurrencë reale dhe më shumë përgjegjësi për çdo forcë politike.
Në fund të fundit, demokracitë nuk ndryshojnë vetëm kur ndërrohen qeveritë; ato ndryshojnë kur rikthehen qytetarët.

Një pjesëmarrje e lartë nuk garanton automatikisht fitoren e një partie apo humbjen e një tjetre. Por garanton diçka shumë më të rëndësishme: që rezultati të jetë më afër vullnetit real të shoqërisë. Dhe pikërisht aty fillon shërimi i deformimit përfaqësues që ka shoqëruar tranzicionin shqiptar.

Prandaj fotografia më e bukur e këtyre protestave nuk është numri i flamujve, as madhësia e turmës. Është karakteri i tyre paqësor. Është qytetari që proteston pa dhunë. Është i riu që ngre zërin pa urrejtje. Është emigranti që ndihet përsëri pjesë e fatit të vendit të tij. Është pensionisti që nuk ka hequr dorë nga shpresa se Shqipëria mund të bëhet më e drejtë.

Kur këto energji bashkohen, protesta pushon së qeni një ngjarje e përkohshme. Ajo bëhet një proces kombëtar ndërgjegjësimi.
Dhe ndoshta për herë të parë pas 35 vitesh, Shqipëria po i afrohet zgjidhjes së nyjës së saj më të vështirë: rikthimit të qytetarit në qendër të demokracisë.
Sepse aty ku rikthehet qytetari, rikthehet edhe vota.
Aty ku rikthehet vota, rikthehet përfaqësimi.
Dhe aty ku rikthehet përfaqësimi, fillon më në fund zgjidhja e krizës së gjatë shqiptare.