Ballina Kosovë Akuza për manipulim e vjedhje votash, Kurti reagon për herë të parë...

Akuza për manipulim e vjedhje votash, Kurti reagon për herë të parë – ja mesazhi i tij

37
0

Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me dyshimet për manipulime votash brenda subjekteve politike, duke theksuar se cenimi i vullnetit të lirë të qytetarëve është i papranueshëm dhe se çdo rast i tillë duhet të hetohet deri në fund, pa asnjë kompromis.

Kurti ka ritheksuar përkushtimin e vazhdueshëm të LVV-së për mbrojtjen e integritetit të votës, duke e cilësuar Republikën e Kosovës si shembull të demokracisë funksionale në rajon.

Reagimi i plotë

Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.

Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit.

Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen.