Revista prestigjioze ndërkombëtare, “The Art Newspaper”, ka publikuar një artikull për praninë e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në panairin privat “Art Basel” të Zvicrës, duke i kujtuar shefit të qeverisë skandalin me ish-zëvendëskryeministren e tij, Belinda Balluku. Media me seli në Londër dhe Uashington thotë se Rama është një kryeministër-artist dhe është paraqitur në panairin e Bazelit me një skulpturë bronzi.
“The Art Newspaper” bën një biografi të shkurtër të jetës së tij artistike, e cila nis prej vitit 1990. Por, në mënyrë të paprecedentë, një revistë artistike, i kushton vëmendje të veçantë pozicionit politik të kryeministrit shqiptar. “Rama, i cili siguroi një mandat të katërt të paprecedentë në maj 2025 pasi bëri fushatë për ta sjellë Shqipërinë në Bashkimin Evropian – është një artist i afirmuar, thuhet në artikullin e revistës ndërkombëtare.
Por, më tej, në artikull thuhet se “Megjithatë, mandati i Ramës është zhytur në polemika. Në nëntorin e kaluar, Belinda Balluku, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë dhe një bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës, u pezullua për shkak të një skandali korrupsioni”, thekson “The Art Newspaper”, në artikullin, i cili me shumë mundësi ia ka prishur qetësinë kreut të qeverisë shqiptare dhe e prezanton atë për publikun art-dashës si një politikan problematik.
Rama ka qenë ditët e fundit në Bazel të Zvicrës për të prezantuar një ndër veprat e tij abstrakte, të punuara në bronz. Në një postim në rrjete sociale, të publikuar paraditen e kësaj të Marte, kreu i qeverisë deklaroi se ai dhe familja e tij kanë udhëtuar me shpenzimet personale.
Rama, i akuzuar publikisht për lidhje të forta me korrupsionin dhe element të krimit të organizuar, theksoi se në 3 dekada në shërbim publik, shpenzimet personale i ka realizuar nga të ardhurat e tij dhe jo nga buxheti i shtetit.







