Ballina Politika Ambasada Amerikane reagon për protestën e opozitës në Tiranë: Qytetarët amerikanë të...

Ambasada Amerikane reagon për protestën e opozitës në Tiranë: Qytetarët amerikanë të shmangin tubimin

21
0

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar nga opozita, e cila pritet të zhvillohet ditën e shtunë, më 24 janar 2025, në orën 17:00 në Tiranë.

Në një njoftim zyrtar, Ambasada bën me dije se protesta do të zhvillohet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë Kryeministrisë. Sipas njoftimit, pritet prani e shtuar e forcave të policisë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit në disa zona të kryeqytetit.

Ambasada Amerikane këshillon qytetarët amerikanë dhe stafin e saj që të shmangin pjesëmarrjen ose qëndrimin pranë zonave ku do të zhvillohet protesta, duke theksuar se situatat e tilla, edhe pse mund të nisin paqësisht, mund të përshkallëzohen shpejt.

Gjithashtu, autoritetet amerikane u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të monitorojnë mediat lokale, të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe të kenë gjithmonë një plan emergjence apo dalje alternative.

“Qëndroni vigjilentë dhe prioritizoni sigurinë tuaj personale”, thuhet në mesazhin e Ambasadës, duke shtuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të Tiranës.