Ballina Rajoni Kamionët do bllokojnë kufijtë e Ballkanit Perëndimor të hënën, preket edhe Shqipëria

Kamionët do bllokojnë kufijtë e Ballkanit Perëndimor të hënën, preket edhe Shqipëria

33
0

Shoferët e kamionëve nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja-Hercegovina kanë paralajmëruar se do të bllokojnë pikat kufitare mesditën e së hënës, më 26 janar.

Sipas njoftimeve të tyre, kamionët do të parkohen në të gjitha pikat kufitare të këtyre vendeve, duke ndaluar plotësisht qarkullimin e mallrave drejt Bashkimit Europian, si dhe tranzitin nëpër rajon.

Transportuesit thonë se kjo masë vjen si reagim ndaj problemeve të shkaktuara nga zbatimi i Sistemit të ri të Hyrje–Daljes, i cili ka sjellë pritje të gjata dhe procedura më të komplikuara në kufij.

Shoqatat e transportit kanë theksuar se protesta do të kufizohet vetëm në terminalet e mallrave dhe nuk do të ndikojë në kalimet kufitare për udhëtarët. Megjithatë, bllokada pritet të reflektohet edhe në pikat kufitare të Shqipërisë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mallrave.

Shoferët kanë paralajmëruar gjithashtu se, në mungesë të një reagimi institucional dhe zgjidhjeve konkrete, protesta mund të zgjasë dhe të intensifikohet më tej.