Ballina Politika Kur policia zgjedh gazin në vend të strategjisë: Protesta që nxori zbuluar...

Kur policia zgjedh gazin në vend të strategjisë: Protesta që nxori zbuluar dobësinë e Ilir Prodës

42
0

Angazhimi i rreth 1300 forcave policore në protestën e djeshme të opozitës tregoi më së paku dobësinë e Ilir Prodës. Skenari i protestës ishte i qartë: në tribunë do të flisnin disa eksponentë, në fund — si përherë — Sali Berisha, dhe në momentin kur ai do të valëviste flamurin, një grup personash me kapuçë në kokë dhe fytyra të mbuluara do të hidhnin molotov drejt derës së Kryeministrisë.

Skenari që protestuesit të tentonin të hynin brenda godinës nuk ekzistonte, sepse standardin e ka vendosur vetë Sali Berisha që më 21 janar 2011, kur u vranë katër qytetarë.

Protesta pati pjesëmarrje të konsiderueshme, krahasuar me foltoret e muajve të fundit, por nuk solli asnjë risi. Në fakt, ajo që protesta nxori në pah ishte paaftësia e Ilir Prodës për ta menaxhuar situatën si duhet dhe në përputhje me standardet.

Kjo për disa arsye. Mbi protestuesit u përdor sasi e madhe gazi lotsjellës, jo në proporcion me veprimet e tyre — të cilat sigurisht nuk duhen legjitimuar. Gazi lotsjellës i përdorur ishte jashtë afatit të skadencës, çka kërkon përgjegjësi institucionale, pasi vë në rrezik jetën dhe shëndetin e qytetarëve të pambrojtur.

Skandali thellohet më tej kur policia shoqëroi një të mitur pa njoftuar prindërit dhe e mbajti në komisariat pa praninë e një psikologu.

Nën zë, policët pranojnë çdo zë kundër kupolës së tyre, e cila — siç thonë — është zhytur në paranojën e videove të Ergys Agasit.

Rritja në çdo protestë e numrit të forcave policore dëshmon frikë dhe paaftësi për menaxhim. Sepse do të mjaftonin jo më shumë se 500 forca policore të trajnuara për të garantuar rend dhe siguri.

Ndaj, para se të jetojë me paranojë dhe të gjejë grupe armiqësore brenda llojit, kryepolici duhet të hartojë strategji reale për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Sepse zgjidhja nuk është të hedhësh gaz lotsjellës — një standard që e futi Sandër Lleshaj, i pagëzuar tashmë si “Llesh Kimiku.”/vna