Ballina Kulturë Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të...

Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme

28
0

Mes fosileve miliona vjeçare, veshjeve tradicionale dhe historisë së nxjerrë nga nëntoka e Trepçës, Muzeu i Mitrovicës vazhdon të tregojë rrëfimin e qytetit ndër dekada.

I themeluar në vitin 1952, si muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ky institucion sot funksionon pa një shtëpi të përhershme, por me një aktivitet të gjallë kulturor që e mban historinë, identitetin dhe komunitetin në lëvizje.

Drejtoresha e Muzeu të Mitrovicës, Nora Prekazi- Hoti, ka thënë për KosovaPress, se Muzeu i Mitrovicës konsiderohet muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, pas Muzeut Kombëtar.

Sipas Prekazi-Hoti, hapja e këtij institucioni ka qenë e domosdoshme për shkak të rolit të veçantë gjeografik dhe politik të Mitrovicës, si dhe pranisë së kompleksit të madh industrial të Trepça.

“Për arsyeje të rolit gjeografik dhe politik të Mitrovicës d.m.th me gjithë atë kompleks të madh të Trepçës, është parë e nevojshme që të hapet një muze po flasim për një periudhë ku gjithë kjo është në Jugosllavi. Është themeluar nga Sylejman Murati, një prej etnologëve të parë shqiptarë të asaj periudhe me qëllim që njëherit të jetë një muze i vogël që do ta trajtojë në atë botë luftën nacional çlirimtare, si dhe gjeologjinë që është një prej identiteteve të rëndësishme të qytetit tonë”- tha Prekazi.

Prekazi tha se pavarësisht zhvillimit dhe aktivitetit të vazhdueshëm, Muzeu i Mitrovicës ende nuk ka një seli të përhershme.

Ajo sqaroi se muzeu fillimisht ka funksionuar në objektin komunal të Mitrovicës së asaj kohe, më pas është zhvendosur në hamamin e qytetit, ku ka operuar nga vitet ’60 deri në vitin 2009.

Prekazi: Akoma muzeu nuk ka selinë e përhershme

“Objekti në të cilin jemi sot është i njohur si ish-shtëpia e armatës Jugosllave, dmth që nga vitit 2009 e deri sot e shfrytëzojmë vetëm një pjesë të këtij objekti. Këtu operojmë që nga viti 2009, akoma nuk e kemi selinë tonë të përhershme dmth konsiderohemi si “muze pa shtëpi të përhershme” edhe kjo është një vështërsi shumë e madhe për një muze kaq të madh e me një aktivitet të bujshëm siç është muzeu jonë”- potencoi ajo.

Prekazi- Hoti tha se ky vit ka qenë ndër më dinamikët për Muzeun e Mitrovicës, me gjashtë ekspozita të realizuara brenda tij.

Rrugëtimi kishte nisur më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me një ekspozitë kushtuar trashëgimisë arkitekturore të Trepçës, ku kishte vazhduar me ekspozitën “Një jetë në gajtan”, Muzeu i Mitrovicës çoi para publikut japonez rrëfimin e veshjeve tradicionale dhe punës artizanale, duke përfaqësuar Kosovën si shtet.

Prekazi: Dy ekspozita janë prezantuar në Japoni

“Jemi ftuar nga një marrëdhënie ndërminstrore të cilët janë prezantuar me një ekspozitë shtetërore në Japoni e cila është quajtur “Osaka 2025”, dhe jemi ftuar si Muze i Mitrovicës ta prezantojmë ekspozitën apo një pjesë të ekspozitës “Një jetë në gajtan”, e cila është ekspozita etnologjike e përhershme që e kemi hapur në vitin e kaluar në dhjetor dhe kjo trajton vetëm veshjet e sipërme, si dhe punën e dorës përmes gajtanit, kështu që ka qenë një momentum jashtëzakonisht i bukur për ne si muze që prezantohemi në Japoni para publikut japonez duke e përfaqësuar Kosovën si shtet”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e muzeut bëri të ditur se Muzeu i Mitrovicës, përveç ekspozitave, zhvillon çdo muaj edhe programe edukative të vazhdueshme, të cilat i dedikohen si ekspozitave të përhershme, ashtu edhe punës së përgjithshme të institucionit.

Nora Prekazi-Hoti përshkroi Muzeun e Mitrovicës si një thesar të gjallë të historisë dhe kulturës, ku fosilet, artefaktet arkeologjike dhe veshjet tradicionale rrëfejnë rrugëtimin e qytetit ndër shekuj.

Çdo koleksion, nga koha neolitike e deri te elementët e jetesës tradicionale, i jep muzeut një jetë të veçantë dhe një lidhje të prekshme me të kaluarën.

Prekazi: Muzeu i Mitrovicës ka një llojllojshmëri të koleksioneve të trashëgimisë kulturore

“E kemi koleksionin e natyrës që e trajton Fosilet, kemi fosilet të cilat e hapin muzeun, është ekspozita e parë e përhershme, pastaj e kemi një koleksion shumë të madh të arkeologjisë, koleksione të cilat kanë dalë nga nëntoka e regjionit të Mitrovicës, nga tri sajtet e famshme arkeologjike të cilat janë Fafosi, Zhitkovci dhe Vallaqi, kemi koleksione kryesisht që datojnë nga periudha neolitike nga 3000 deri 7000 vite para erës sonë, por edhe të tjera. Pra, të mesjetës deri tek dmth koleksione më të reja, pas kësaj kemi një morri ose llojllojshmëri të koleksionit të etnologjisë që trajtohen mënyrën e jetesës tradicionale të regjionit fshat dhe qytet ku hyjnë veshjet e ndryshme, pastaj ka koleksion të enëve të ndryshme, koleksion të stolive të ndryshme, koleksion të armëve, si dhe të enterierit të ndryshëm fshat e qytet, të cilat i ekspozojmë varësisht nga ekspozitat”- tha Prekazi- Hoti

Që nga viti 2018, Muzeu i Mitrovicës ka hapur dyer drejt gjithëpërfshirjes, duke u bërë pjesë e Rrjetit Ballkanik të Muzeve dhe duke sjellë ekspozitat e tij tek komunitetet më të ndjeshme.

“Gjithë ekspozita muzeale është përkthyer në alfabetin e Braille, është përkthyer narativa muzeale në gjuhën shqipe dhe serbe duke pasur parasysh që janë gjuhë zyrtare të qytetit. Përpos kësaj bashkëpunime kemi shumë, bashkëpunime me shkolla, vizitorët tanë më të shumtë janë shkollat, shkollat e qytetit dhe jashtë qytetit, por ne përmes programit edukativ kemi bashkëpunuar edhe Down Syndrome Kosova, dega në Mitrovicë, kemi bashkëpunuar me Qendrën Burimore “Nëna Tereza” dmth kemi bërë punëtori së bashku”- ka thënë ajo.

Drejtoresha Prekazi shpjegoi se ideja e muzeut është që vizitat të mos kufizohen vetëm një herë, por të jenë të vazhdueshme. Aktivitetet dhe ekspozitat e ndryshme gjatë gjithë vitit, së bashku me mbulimin nga mediat, e bëjnë muzeun të gjallë dhe tërheqës.

Prekazi: Muzeun po tentojmë ta bëjmë sa ma atraktiv

“Vizitat kanë qenë të ndryshme, kanë qenë vizita të ndryshme që hyjnë si pjesë e kulikulës shkollore të shkollave lokale si dhe të regjionit, risi ka se shumë interesim nga mediat e ndryshme që ta vizitojnë muzeun e ta plasojnë muzeun si veprimtari nga se e kemi një aktivitet të larmishëm dhe të bujshëm gjatë vitit dhe kjo e bënë që të jemi shumë prezent në media. Dhe kjo e zgjon interesimin për shkollat jashtë Mitrovicës të na vijnë në vizita, unë edhe më herët e thash ideja jonë është që të mos e lejojmë muzeun që të vizitohet vetëm një herë qoftë edhe nga klasat, qoftë edhe nga shkollat por edhe vetë nga vizitorët për këtë arsyeje kemi vazhdueshëm aktivitet, vazhdueshëm ekspozita të reja edhe të përkohshme, për shkak që të bëjmë muzeun sa më atraktiv dhe të vizitohet sa më shpejt”- përfundoi Prekazi-Hoti

Muzeu i Mitrovicës qëndron si një urë mes kohërave, ku secili objekt dhe çdo ekspozitë flet me zë të vetin. Ai nuk është vetëm një hapësirë e së shkuarës, por një skenë ku historia dhe kultura bashkëjetojnë me kreativitetin dhe dijeninë e brezave të rinj.

Përmes aktiviteteve, programeve edukative dhe ekspozitave që udhëtojnë edhe përtej kufijve, muzeu transformohet në një vend ku kujtesa e qytetit, pasuria materiale dhe identiteti i komunitetit shpërthejnë në një rrëfim të gjallë dhe të paharrueshëm për çdo vizitor.