Ballina Aktualitet Organizatat e medias kërkojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes

Organizatat e medias kërkojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes

26
0

17 organizata vendase të shoqërisë civile si edhe organizatat ndërkombëtare në mbrojtje të lirisë së medias reaguan lidhur me nevojën e forcimit të ndryshimeve në Kodin Penal shqiptar për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.

Organizatat ndërkombëtare në mbrojtje të lirisë së medias si Rrjeti SafeJournalists, partnerët e Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF), si edhe 17 organizata të shoqërisë civile në vend reaguan lidhur me nevojën për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes në Kodin e ri Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ata theksuan se shpifja duhet dekriminalizuar jo vetëm për gazetarët e regjistruar, por edhe për aktivistët e të drejtave të njeriut apo advokuesit e tjerë të fjalës së lirë.

“Me keqardhje vërejmë se teksti i miratuar më 21 janar në Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nuk realizon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, por parashikon një përjashtim të kufizuar vetëm për gazetarët për veprën e shpifjes”, shkruan reagimi i aktivistëve të shoqërisë civile.

Më 21 Janar 2026, në Komisionin për Çështjet Ligjore në Kuvendin e Shqipërisë u miratua një paketë e gjerë ndryshimesh në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Një prej këtyre ndryshimeve përkon pikërisht me dekriminalizimin e veprës penale të shpifjes për gazetarët, por duke iu referuar vetëm gazetarëve të regjistruar dhe të njohur.

Pavarësisht se organizatat e medias i mirëpritën këto ndryshime duke i quajtur si vullnet politik, ato shprehen se miratimi i tyre nuk arrin ende objektivin përfundimtar të një përafrimi të qëndrueshëm legjislativ me standardet evropiane për të mbrojtur shprehjen me interes publik në Shqipëri.

“Në veçanti, kufizimi i mbrojtjes vetëm për një kategori të ngushtë profesionale rrezikon të përjashtojë folës të tjerë me interes publik, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, aktivistët, studiuesit, sinjalizuesit dhe qytetarët, të cilët luajnë një rol thelbësor në diskursin demokratik”, citon reagimi i organizatave të lirisë së medias.

Aktivistët shprehën më tej shqetësimin lidhur me kategorinë e fyerjes, e cila mbetet akoma një vepër penale.

“Mbajtja në fuqi e veprave penale si fyerja, minon efektivitetin e reformave të pjesshme, duke lejuar që shprehja kritike të ndiqet penalisht dhe duke ruajtur presionin e së drejtës penale mbi fjalën e lirë”, shkruan reagimi i aktivistëve të fjalës së lirë.

Edhe pse ata mbështetën forcimin e masave penale për mbrojtjen e gazetarëve në rastet kur ata kërcënohen ose sulmohen për shkak të ushtrimit të detyrës, aktivistët theksuan se përmirësimi përfundimtar i klimës së mediat kërkon medoemos heqjen e fyerjes nga veprat penale.

“Dekriminalizimi i plotë i shpifjes dhe fyerjes mbetet i vetmi rezultat i pranueshëm”, përfunduan përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile./BIRN/