Pas ndarjes nga jeta të stilistit legjendar Valentino Garavani, më 19 janar, mediat italiane kanë zbuluar një histori prekëse që për më shumë se 30 vite ka mbetur e fshehtë. Një rrëfim që rikthen edhe një herë imazhin e Valentinos jo vetëm si ikonë të modës dhe elegancës, por si një njeri me një zemër jashtëzakonisht humane.
Është historia e Sarah Silvestri, sot një grua dhe avokate ndërkombëtare, e cila u ndihmua në heshtje nga stilisti i famshëm, pa bujë dhe pa kërkuar kurrë mirënjohje.
Gjithçka nisi në shkurt të vitit 1992, kur Giovanni, babai i Sarës, hyri në atelienë e Valentinos në Romë për të kërkuar punë. Ai ishte një burrë inteligjent, fliste katër gjuhë, por luftonte me varësinë nga droga. Valentino e pëlqeu menjëherë dhe i ofroi një vend pune. Megjithatë, Giovanni hezitoi, duke thënë se kishte një vajzë të vogël dhe kishte nevojë për një punë të sigurt. Ai premtoi se do të kthehej nëse oferta tjetër nuk funksiononte.
Por ai nuk pati kurrë mundësi ta mbante atë premtim. Pak orë më vonë, Giovanni humbi jetën nga mbidoza, pavarësisht se kishte qenë esëll prej muajsh. Vajza e tij ka treguar se atij i ishin hedhur substanca halucinogjene në pije, pikërisht sepse ishte shëruar. Një mjek më vonë u detyrua t’i paguante dëmshpërblim familjes.
Kur historia doli në media, Valentino njohu fytyrën e Giovannit dhe dërgoi njerëzit e tij në Tor Bella Monaca për të gjetur vajzën e vogël që kishte mbetur pa baba. Që nga ai moment, nisi një jetë paralele për Sarën.
Stilisti u kujdes për të në heshtje për vite me radhë: ushqime, rroba, libra, shkollim, madje edhe një pjesë të makinës së saj të parë. Valentino u bë për të një “baba në hije”, gjithmonë i pranishëm, por kurrë i dukshëm.
“E kuptova vetëm kur u rrita se sa shumë kishte bërë për mua. Nuk na bëri kurrë të ndiheshim vetëm”, tregon Sarah. “Për mua ishte një mbështetje shpirtërore”.
Vitet kalojnë dhe mes 2013–2015, Sarah jeton në Nju Jork, duke punuar punë të ndryshme për të paguar qiranë. Kur mëson se Valentino ndodhet në qytet për një aktivitet mode, ajo vendos më në fund ta falënderojë. Partneri i tij, Giancarlo Giammetti, i ofron një bashkëpunim me shtëpinë e modës Valentino, por ajo refuzon.
“Ashtu si babai im, edhe unë thashë jo. Ëndrra ime ishte të bëhesha avokate. Për këtë kam studiuar shtatë vjet”, shpjegon ajo.
Një ëndërr e lindur që në fëmijëri, kur pa gjyshen e saj duke përballur mjekun në gjykatë: “Doja të mbroja njerëz si babai im, ata që nuk kanë zë”.
Sot, Sarah Silvestri është avokate ndërkombëtare dhe krenare për rrugën që ka bërë, pavarësisht dhimbjeve dhe vështirësive.
“Babai im la një gjurmë atë pasdite në atelie pa e ditur. Ai shkoi të kërkonte një punë dhe më la mua një fat”, thotë ajo, duke i dhënë lamtumirën Valentinos me fjalë që prekin thellë:
“Sot vajtoj një burrë që mishëroi elegancën më të lartë. Jo atë të kostumit, por atë të shpirtit. Një dorë ndihmëse kur askush nuk po të shikon. Një shtytje e butë që të lejon të ecësh pjesën tjetër të rrugës vetëm.”







