Ballina Ekonomia Raporti i BERZH, Sejko: Ekonomia shqiptare e rrezikuar nga emigracioni, plakja e...

Raporti i BERZH, Sejko: Ekonomia shqiptare e rrezikuar nga emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore

32
0

Ditën e sotme u mbajt prezantimi i raportit të tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku i pranishëm ishte dhe Guvernatori i Bankës Shqiptare, Gent Sejko.

Në fjalën e tij Sejko ceku se ekonomia shqiptare është e rrezikuar nga emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore.

“Të nderuar të ftuar, është kënaqësi t’ju mirëpresim në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili fokusohet në një nga forcat më të fuqishme – por ende të nënvlerësuara – që formësojnë ekonomitë dhe shoqëritë tona: ndryshimet demografike.

Demografia mund të ngjajë si koncept abstrakt, por është forca fondamentale e zhvillimit dhe prosperitetit të një shoqërie. Ajo evoluon ngadalë, përgjatë ciklesh shumë më të gjatë në kohë se sa ciklet e biznesit apo ato financiare. Kjo është pikërisht dhe arsyeja pse demografia nuk është gjithnjë në qendër të politikës apo debateve të bankingut qendror. Megjithatë, aktualisht po jetojmë një pikë kthese demografike globale, e cila kërkon edhe vëmendjen tonë. Ndërsa gjithnjë e më pak njerëz hyjnë në tregun e punës, gjithnjë e më shumë të tjerë janë të varur nga sistemet e pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor. Tashmë, këto ndryshime po ushtrojnë presion mbi produktivitetin, financat publike, përparësitë politike dhe mbi perspektivat afatgjata të rritjes në rajone të ndryshme.

Në Bankën e Shqipërisë, i kemi analizuar e trajtuar këto çështje dhe zhvillimet demografike prej pothuajse një dekade. Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar herët në kohë, si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Vendi ynë pasqyron shumë nga tendencat e përshkruara në këtë Raport të radhës: plakjen e shpejtë të popullsisë, të kombinuar me largim të konsiderueshëm të të rinjve dhe të popullsisë në moshë pune. Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, këto dinamika pritet të vazhdojnë dhe të intensifikohen në vitet në vijim, duke çuar në përmbysjen e piramidës demografike.

Transformimi i shpejtë demografik po riformëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, ndërsa këto të fundit tashmë përballen me sfida të ngjashme me ato të theksuara në Raportin e Tranzicionit. Popullsia ka ardhur në rënie të vazhdueshme, ndërkohë që mosha mesatare po rritet me shpejtësi. Regjistrimi i popullsisë i vitit 2023 evidenton rreth 2.4 milionë banorë, afërsisht një e treta më pak krahasuar me vitin 1990. Ndërkohë, mosha mesatare ka arritur pothuajse 43 vjeç.

Emigracioni, dikur i konsideruar si faktor lehtësues për papunësinë dhe varfërinë, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një sfidë strukturore. Rritja ekonomike e qëndrueshme, nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorë kyç, i kanë bërë më të dukshme pasojat afatgjata të ndryshimeve demografike si për bizneset, ashtu edhe për familjet. Plakja e popullsisë ndikon si në kërkesën, ashtu edhe në ofertën agregate: ajo ndryshon modelet e konsumit, dobëson inovacionin dhe produktivitetin, rrit kostot e prodhimit dhe, në fund, ndikon në çmimet, investimet dhe kapacitetin prodhues, duke përbërë kërcënim për qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike.

Raportet dhe analizat e Bankës së Shqipërisë kanë theksuar vazhdimisht efektet negative të këtyre prirjeve mbi tregun e punës, pagat, dinamikat e inflacionit dhe potencialin afatgjatë të rritjes së ekonomisë shqiptare.

Megjithatë, ekonomia shqiptare ka treguar përshtatshmëri dhe qëndrueshmëri të lartë vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja e qëndrueshme ekonomike, rritja e punësimit dhe e pagave, si edhe përmirësimi i llogarisë korrente. Kushtet e tregut të punës janë përmirësuar ndjeshëm, reflektuar në rritje të punësimit, rënie të papunësisë në nivele historikisht të ulëta dhe produktivitet të punës dukshëm më të lartë krahasuar me periudhën para krizës financiare globale. Deri sot, tregu është përshtatur dhe ka kompensuar presionet demografike, përmes rritjes së normës së pjesëmarrjes në tregun e punës, por kjo është shoqëruar me koston e pagave më të larta dhe, rrjedhimisht, të presioneve më të mëdha inflacioniste.

Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në këto zhvillime përmes zbatimit të një politike monetare të kujdesshme, të qëndrueshme dhe proaktive, e fokusuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

Që nga mesi i vitit 2024, qëndrimi lehtësues i politikës monetare ka ndihmuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste, uljen e pasigurisë dhe përmirësimin e kushteve financiare, duke çuar në ulje të kostove të huamarrjes dhe rritje të fortë të kredisë. Në të njëjtën kohë, sektori bankar ka vijuar të forcohet, duke shënuar përmirësim të treguesve të likuiditetit, të kapitalizimit dhe të cilësisë së aktiveve, ndërkohë që rreziqet sistemike mbeten të kontrolluara. Ky pozicion i fortë financiar ofron siguri që sistemi bankar të vijojë të mbështesë aktivitetin ekonomik përmes ndërmjetësimit financiar efektiv.

Pavarësisht kësaj arritjeje, prirjet negative demografike në Shqipëri pritet të jenë të qëndrueshme. Studimet tona tregojnë se këto prirje ka të ngjarë të ushtrojnë presion në rënie mbi normat reale të interesit. Ky mjedis kufizon efektivitetin e politikës monetare konvencionale, pasi normat e ulëta të interesit u lënë bankave qendrore më pak hapësirë për të stimuluar ekonominë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet demografike mund të shkaktojnë ndërlikim edhe të dinamikave të inflacionit. Hulumtimet tona tregojnë se rritja e normës së pjesëmarrjes në tregun e punës vjen si pasojë e pagave më të larta.

Këto gjetje për Shqipërinë janë në rezonancë të plotë me përfundimet e paraqitura më gjerë në Raportin e Tranzicionit të BERZH-it. Në të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, popullsitë në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore rëndojnë mbi rritjen ekonomike. Megjithatë, përgjigjja e politikave kërkon veprim të koordinuar dhe vullnet politik.

Këto reforma kërkojnë guxim dhe ndershmëri. Ato duhet të trajtojnë reformimin e sistemeve të pensioneve, modernizimin e tregjeve të punës, hartimin e politikave realiste të migracionit dhe investimin për sigurimin e plakjes së shëndetshme të popullsisë. Të gjitha këto nënkuptojnë përqafimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, brezat e rinj duhet të mbeten në qendër të vendimmarrjes ekonomike.

Më lejoni ta përmbyll me mesazhin kryesor të lexuar në Raportin e Tranzicionit të këtij viti: demografia nuk duhet të jetë fat i paracaktuar. Raporti ofron një panoramë të saktë të politikave dhe të përshtatshme për të kuptuar ndryshimet demografike dhe ndikimet e tyre ekonomike. Shpresoj që ky raport të shërbejë jo vetëm si referencë analitike, por edhe si katalizator për të zhvilluar një debat të informuar dhe për të ndërmarrë veprime vendimtare”, u shpreh guvernatori i Bankës Shqiptare, Gent Sejko.

E pranishme ishte edhe drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova.

“Ne 2025 ruajtëm rritje të qëndrueshëm ne te gjitha rajonet tona. Vazhduam mbështetjen për Ukrainën. 2025 aktive për BERZH-in në Shqipëri. Realizuam një sërë projektesh. 111 milionë euro për infrastrukturën e qëndrueshme, hekurudhën, 45.17 milionë euro për OSHE-në. Si dhe fonde përfshirje për gratë ne biznes”, u shpreh Solovova.