Ballina Ekonomia BERZH, 217.5 milionë euro për 31 projekte në Shqipëri gjatë vitit 2025

BERZH, 217.5 milionë euro për 31 projekte në Shqipëri gjatë vitit 2025

22
0

BERZH shënon vit rekord në financimin e projekteve në Shqipëri. Drejtorja e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova, bëri të ditur se viti 2025 ishte një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vend, me një nivel rekordi të financimeve dhe projekteve të mbështetura.

Duke marrë fjalën gjatë prezantimit sot në Tiranë, të raportit të tranzicionit të BERZH, 2025-26 “Brave old World”, Solovova tha se “gjatë vitit të kaluar, BERZH ofroi 217.5 milionë euro financim për 31 projekte, duke përfshirë projekte të rëndësishme infrastrukturore, energjetike dhe të sektorit privat, si dhe asistencë teknike dhe mbështetje për sipërmarrësit dhe institucionet vendase”.

Sipas saj, investimet kryesore u adresuan në infrastrukturë dhe energji.

“Nga totali i financimeve, 111 milionë euro u alokuan për projekte të infrastrukturës së qëndrueshme në sektorët e transportit dhe energjisë. Një nga projektet kryesore ishte rehabilitimi i Korridorit 8 të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, me financim të përbashkët nga BERZH (30 milionë euro) dhe grante prej 60 milionë euro nga Bashkimi Europian”, u shpreh Solovova.

Në sektorin e energjisë, vijoi ajo, BERZH ofroi 45.75 milionë euro për OSHEE për ristrukturimin e borxheve afatshkurtra dhe për modernizimin e rrjetit elektrik, ndërsa 30 milionë euro u dhanë KESH për ndërtimin e centralit diellor fotovoltaik prej 50 MW, duke përfshirë edhe 9.2 milionë euro grante investimi.

Në fokus të mbështetjes tonë është edhe sektori privat dhe sipërmarrësit.

“Përveç projekteve infrastrukturore, BERZH ka mbështetur konkurrueshmërinë e sektorit privat përmes programeve të turizmit, agrobiznesit dhe teknologjive inovative, duke ofruar ndihmë dhe asistencë teknike për bizneset, përfshirë gratë sipërmarrëse dhe sipërmarrësit e rinj.

Gjatë vitit 2025, BERZH realizoi gjithashtu 42 projekte këshillimi për bizneset e vogla, duke kontribuar në avancimin e programëve qeveritare dhe në integrimin e sipërmarrësve shqiptarë në tregjet ndërkombëtare”, theksoi Solovova.

Solovova vuri në dukje rëndësinë e ndihmës ndaj institucioneve financiare vendase dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor në sektorin privat, duke ofruar mbështetje për një rritje të qëndrueshme dhe profesionalizim të sektorit financiar në Shqipëri.

“Viti 2025 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për BERZH në Shqipëri. Projeketet tona kanë sjellë ndryshime reale në infrastrukturë, energji, sipërmarrje dhe zhvillim rural. Historitë e suksesit që kemi ndihmuar të ndërtohen janë dëshmi e angazhimit tonë për një Shqipëri më moderne dhe konkurruese”, tha Drejtorja e BERZH-it Solovova.