Mbas SPAK edhe prokuroria e përgjithshme i ka kthyer përgjigje ekspertëve që po hartojnë projektligjin e amnistisë nga i cili pritet të përfitojnë dhjetëra të burgosur, si dhe mbyllen qindra çështje nën hetim për krime të lehta.
Siç bënë me dije burimet, organi qendror i akuzës ka dalë kundër në dy pika të projektligjit. Së pari prokuroria e përgjithshme ka sugjerim të ndryshëm nga draftuesit për pushimin e çështjeve të kallëzuara gjatë 2025 dhe ndryshe nga pragu i dy viteve burg, kërkohet të amnistohen krimet që janë nën ndjekje penale dhe që kanë dënueshmëri deri në 3 vjet burg.
Ligjvënësit i sugjerohet më tej që kategorinë nën ndjekje penale për krime zgjedhore dhe nën kompetencë të SPAK por me këtë marzh dënimi, të shtojë kushtin e ndalimit për të përfituar.
Propozimi i dytë lidhet me kushtin e përfitimit të amnistisë vetëm nëse vendimi ka marrë formë të prerë brenda 31 dhjetorit 2025. Prokuroria e përgjithshme kërkon saktësi dhe kujdes në këtë pikë.
Në projektligj përmendet se përfitojnë të dënuarit që u kanë mbetur deri në 3 vjet burg që sipas ministrisë së drejtësisë dërgon në liri 380 të burgosur. Po ashtu do të përfitojnë zbritje dënimi me nga një vit e gjysmë edhe të dënuarit e tjerë ku përjashtohen të dënuarit e përjetshëm dhe ata që SPAK i gjeti fajtorë që nga korrupsioni deri tek krimi i organizuar.
Po amnistia mbetet e hapur si mundësi për të dënuarit e SPAK për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Pak ditë me parë SPAK konfirmoi për Top Channel se projektligji nuk prek kompetencat parësore të Prokurorisë së Posaçme.
“Kemi dhënë mendim që nuk duhet të përfshihen në ligjin për amnistinë as veprat e tjera penale që nuk janë në kompetencë të SPAK, por që mund të jenë të lidhura ngushtë në formën e procedimit të lidhur me çështjen penale në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme”, deklaroi SPAK për TCH.
Me dhënien e përgjigjeve draftuesit kanë disa javë kohë për të përshtatur sugjerimet dhe për ta kaluar në komision të ligjeve.







