I bindur se do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm që do transformojë territorin, Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, u ndal në detaje sa i takon Paketës së Maleve.
Në konferencë për mediat këtë të mërkurë, 28 janar, ai sqaroi se cilat janë dy kategoritë që lehtësohen me këtë paketë dhe se çfarë parashikon konkretisht ligji.
“Paketa e Maleve, nëse i referohemi ligjit, është e qartë për kategoritë që përfitojnë nëpërmjet saj. Nëse i referohemi dy kategorive,ata banorë që disponojnë një pronë të caktuar dhe e kanë përdorur për më shumë se 10 vjet, por nuk kanë dokumentacion, e kanë të pamundur të bëjnë investime.
Për këto raste, ata kanë të drejtë të aplikojnë, duke garantuar se ata nuk kanë konflikte sa i përket pronësisë. Procesi në vetvete është shumë transparent sepse ndiqet në nivel vendor.
Kategoria e dytë janë rastet kur banorët brenda vetes së tyre kanë ndarë ose u janë referuar pronbave në bazë të pronësive të vjetra të familjeve të tyre, përshembull “kjo kodra këtu i takon banorit x” dhe banorët e kanë respektuar. Por ata nuk kane letra, edhe në këto raste u jepet e drejta të investojnë në territor.”
“Aplikimet në nivel vendor, bashkitë përcaktojnë zonat e prioritetit. Kemi 13 bashki me 69 zona prioritare. Kemi 8 bashki të tjera në proces. Kemi në total 40 bashki që kanë sjellë aplikimet, interesi është shumë i lartë Të gjitha bashkitë në vend janë të interesuara, dita-ditës po mundohemi t’i asistojmë.
Pasi bëhet verifikimi për kërkesën e banorit apo sipërmarrësit, bashkia duhet të bëjë shpallje publike për 45 ditë, nëse pas kësaj kohe nuk ka kontestime nga asnjë palë, merret vendimi në Këshill Bashkiak”, bëri me dije ministri.
Sipas tij, me Paketën e Maleve, do sheshohet çdo lloj konflikti mbi pronësinë.
“Do të kemi 1 mijë raste në nivel vendi të aplikantëve ku duhet përmendur se 500 aplikantët e parë marrin përfitime, përjashtohen nga taska e infrastrukturës, më pas nga tatim-fitimi për një periudhë 10-vjeçare”, përfundoi ai.







